Fundi i një autokracie ose agimi ballkanik demokratik

Opinione

Fundi i një autokracie ose agimi ballkanik demokratik

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 13 prill 2026 Në ora: 12:12
Viktor Orban

Zgjedhjet e djeshme në Hungari shënuan një kthesë të rëndësishme politike. Partia opozitare Tisza arriti një fitore të thellë me 54.32% të votave, duke e shndërruar këtë proces zgjedhor në një votë plebishitare kundër qeverisjes së deritanishme. Kundër Kriminalitetit të Organizuar në Qeveri.

Humbi Orbani, humbi Trumpi, humbi Vuçiqi, humbi Rama dhe fitoi demokracia, BE.

Ky nuk do të jetë thjesht një rotacion pushteti. Ishte një refuzim i qartë  i autokracisë dhe kleptokracisë. 

Zhvillimet në Hungari kanë rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri hungarez ishte zëdhënësi kryesor i Rusisë dhe Serbisë brenda Bashkimit Europian. 

Jashtë saj, Edi Rama. Edi Rama i batonizuar!

Me largimin e Orbanit nga pushteti, pozicioni ndërkombëtar i Serbisë do të dobësohet shumë. Dhe kjo do të krijojë  një ekuilibër dhe një mundësi të re për paqen në Ballkan.

Rezultati në Hungari është një sinjal i qartë për rikthimin drejt vlerave të Bashkimit Europian: sundimi i ligjit, ndarja e pushteteve dhe lufta kundër autokracisë dhe kapjes së shtetit. Njëkohësisht, kjo fitore nënkupton edhe dobësimin e një boshti politik që lidhej me Serbinë, Rusinë dhe rryma të djathta radikale në arenën ndërkombëtare.

Ky zhvillim nuk është i pari. Fenomene të ngjashme janë parë edhe në Kosovë, ku një pjesë e madhe e qytetarëve votuan për ndryshim, duke refuzuar strukturat e vjetra të lidhura me korrupsionin dhe kapjen e institucioneve, me Kriminalitetin e Organozuar në politikë, media, parti, që edhe sot e luftojnë shtetin ligjor.

Në shtete ku kriminaliteti i organizuar ka pushtetin ekonomik dhe politik, zakonisht vjen një çast kur shumica e qytetarëve kërkon largimin e elitave kleptokratike. Me revoltë plebishitare. Ndryshe nuk fitohen mbi 50%.

Hungaria do të ghendet përballë një sfide të ngjashme si Kosova: rindërtimi i institucioneve, pastrimi i sistemit nga ndikimet ruse, (Kosova nga udbashët) dhe zëvendësimi i strukturave të komprometuara.

Gjendja në Shqipëri mbetet ende stabile. Aty pushteti është i përqendruar në Orbanin shqiptar dhe opozita ende nuk ka arritur të krijojë një alternativë bindëse dhe të organizuar si në Hungari apo Kosovë.

Sali Berisha është garantues i mbijetesës politike të Edi Ramës. Ky është isht-stalinisti i vetëm ende aktiv në politikë në një vend të kontinetit tonë.

Sidoqoftë, zhvillimet në Kosovë, tani edhe Hungari, tregojnë se ndryshimi është i mundur. Stabilizimi politik dhe forcimi i demokracisë kërkojnë jo vetëm rotacion pushteti, por edhe reformim të thellë të kulturës politike dhe institucioneve.

Qëndrimi i Viktor Orbanit ndaj dëbimit të hungarezëve nga Vojvodina ishte shpërfillëse. Në mënyrë të ngjashme vepron edhe Edi Rama, duke shpërfillur deri në absurd gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë edhe pastrimin etnik, si dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Me 48 baza ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën dhe përpjekjet e Edi Ramës për të ndihmuar Aleksandër Vuçiqin janë vasalizëm ndaj një ekstremisti që ka urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve. 

Madje, ai nuk i dorëzon as mbetjet e mbi 1600 të vrarëve shqiptarë, të varrosur nëpër gropa masive në Serbi. (Pyetja që shtrohet është kjo: A janë shitur organet e tyre diku?)

Dhe, Edi Rama pengon rezolutën mbi gjenocidin e Safari-Kryetarit!

Shembja e autokracisë në Hungari pritet të reflektohet si zinxhir edhe në raportet e brendshme të Serbisë, duke ndikuar në dobësimin e pozitës së Aleksandër Vuçiqit. Mikut të Ramës.

Rama nuk ka ndërtuar shtet ligjor. Ka përkthyer vetëm ligje, por ka fituar në imazhin e vet duke u distancuar nga shqiptarët jashtë vendit, duke shpërfillur diskriminimin në Luginë dhe duke flijuar interesat shqiptare jashtë.

Kjo është merita e vetme, të cilën europianët e vlerësojnë si kontribut për paqen. Prandaj e përqafojnë atë, jo sepse reformoi shtetin.

Rama ka punësuar edhe Vlora Hysenin, të dyshuar për veprimtari proserbe dhe të përjashtuar nga shërbimi sekret i Kosovës, duke e vendosur në krye të shërbimit sekret të Shqipërisë. 

Kjo ngre një pyetje thelbësore: kush e drejton realisht atë shërbim, Rama apo Vuçiqi?

Parashikim: në zgjedhjet e ardhshme do të rrëzohet Vuçiqi, pastaj Edi Rama. Dhe këta të dy, si edhe Orbani, do të përfundojnë në burg… edhe Gruevski, më në fund!

Dhe Thaçi do ta vizitojë Ramën në burg! Edhe Vuçiqin. (Për vizitat e tij nuk jam i sigurt.)

Karma nganjëherë vjen ngadalë, por vjen gjithsesi!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat