A humbën e u tretën të gjitha ato vuajtje, si vrasja, përdhunimi, djegia, shkatërrimi, eksodi dhe dëbimi?!

Opinione

A humbën e u tretën të gjitha ato vuajtje, si vrasja, përdhunimi, djegia, shkatërrimi, eksodi dhe dëbimi?!

Nga: Sabahate Byci Më: 18 prill 2026 Në ora: 21:06
Sabahate Byci

Qysh, kur dhe pse shumica e personave protagonistë kryesorë, të cilëve gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovën tonë Dardani as syri nuk u është trembur, duke u dalë armiqve serbo-fashoqetnikë me gjoks përpara (natyrisht jo të gjithë), u “infektuan” dhe pjesa dërrmuese e tyre gjithë atë trimëri e kthyen në urrejtje e xhelozi njëgjakore?!

Shumica (prej opozitarëve) janë bërë dhe po bëhen ende pengesë kyçe, me kundërshtimet e tyre absurde sa i përket shumë marrjeve të vendimeve shtetërore, veç për inat ndaj qeverisë, dhe në mënyrë sabotuese po e lënë vendlindjen në gjendje vendnumërimi, së bashku me zhvillimin e mëtutjeshëm të saj, pra të vendlindjes sonë të shtrenjtë për ne dhe në përgjithësi për ata që me dinjitet të pastër shpirtëror e vlerësojnë – dhe e gjorë për tepricat e mbetura, të cilat prej anomalive dhe mendjemadhësisë së tyre totalisht e kanë hedhur në harresë prejardhjen e tyre, duke marrë kahje në drejtim që as vetë nuk e dinë se ku po shkojnë!

PSE BRE KËSHTU?!

Ku humbën të gjitha ato virtyte njerëzore si mendimi, marrëveshja, pëlqimi, veprimi besëlidhës i përbashkët i personave njësoj si gjatë periudhës kohore të luftës, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë (opozitarë) kanë ngulur këmbë të “ngujuar” nëpër postet e tyre politike dhe e kanë lidhur besën për shkatërrim e jo për bashkim dhe janë bërë, e përditë e më shumë po bëhen, pengesë e marrjes së vendimeve specifike ekzistenciale dhe me vlerë të paparë për shtetin tonë në shtetformim?!

Por, sikurse po shihet, vendlindja jonë ka mbërritur në këtë gjendje “infektuese politike”, me polarizimin dhe përhapjen e të gjitha këtyre krizave ideologjike ekstremisht të kostumuara me petkun e mosbesimit, me një qëllim të caktuar, edhe atë vetëm e vetëm për ta dobësuar dhe për t’ia humbur besimin qeverisë karshi masës së popullit, duke mos i llogaritur dhe duke mos i marrë fare në konsideratë pasojat negative për shtetin tonë, Kosovën Dardaninë!

Andaj, nëse në formë frigiditeti janë harruar të gjitha ato vuajtje, bashkë me të gjitha dhimbjet shpirtërore dhe sakrificat personale të gatishmërisë së vazhdueshme në mënyrë që çdo orë e çast t’i dalim zot Mëmëdheut, atëherë lirisht mund të themi se tradhtia, d.m.th. shkelja e qëllimshme e besimit dhe besnikërisë, e shoqëruar me qëllime keqdashëse, mashtrime e shkelje të rregullave, me një pabesi të paimagjinuar, po dominon!

Si për këtë, momentalisht, si kurrë më parë, uniteti dhe veprimi i përbashkët, pa orientime egoiste partiake, i politikanëve në radhë të parë, njëkohësisht edhe i gjithë popullit tonë shqiptar, është aq shumë i nevojshëm – më shumë se kurrë – që të jetë gati dhe në pajtim për të konsoliduar dhe përmirësuar stabilitetin e shtetit tonë, Kosovë Dardaninë, si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik.

ZOTI E BEKOFTË VENDLINDJEN TIME, VENDLINDJEN TONË, KOSOVËN DARDANINË, GJITHMONË E JETË 🙏

Sabahate Byci, autore
17.04.2026, e premte, 22:06
Gjakovë – Gjermani

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat