Demokracia dhe kriza e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e marrjes së vendimeve politike

Opinione

Demokracia dhe kriza e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e marrjes së vendimeve politike

Nga: Ejup Berisha Më: 6 maj 2026 Në ora: 16:05
Ejup Berisha

Ka kohë që pjesëmarrja e qytetarëve në proceset politike është bërë çështje problematike, jo vetëm në shtetin tonë, por edhe në shumë shtete të tjera, dhe kjo për disa shkaqe dhe arsye. Pra, nuk ekziston vetëm një shkak; në pyetje janë disa prej tyre. Bëhet fjalë për një kombinim faktorësh dhe shkaqesh, të cilat janë të natyrës politike, sociale dhe ekonomike.

Së pari, sot ekziston krizë besimi në raport me politikën, pasi shumë qytetarë nuk u besojnë më institucioneve, partive politike, si dhe udhëheqësve politikë. Ata mendojnë se votat, idetë dhe mendimet e tyre nuk mundësojnë shumë ndryshime, gjë që e zvogëlon motivimin për pjesëmarrje.

Së dyti, ekziston një nivel i lartë zhgënjimi i qytetarëve, i shkaktuar nga moszbatimi i premtimeve nga ana e politikanëve, nga korrupsioni i pranishëm dhe nga skandalet e shumta. Këto kanë krijuar përshtypjen se politika u shërben kryesisht interesave të veçanta të politikanëve, e jo të mirës së përgjithshme në shtet.

Ekzistojnë edhe faktorë të tjerë, siç është kompleksiteti i sistemit politik. Vendimet që merren shpesh janë teknike dhe të vështira për t’u kuptuar, gjë që mund t’i dekurajojë qytetarët për pjesëmarrje, pasi ata mendojnë se nuk janë të informuar sa duhet për këto çështje.

Më tej, ekziston edhe ndikimi negativ i mediave përmes dezinformatave që publikojnë. Edhe pse nga njëra anë ato e lehtësojnë shprehjen e ideve, mendimeve dhe bindjeve, nga ana tjetër ndonjëherë përhapin informacione të rreme, të cilat shkaktojnë polarizime dhe ndarje, për shkak të konfuzionit, cinizmit dhe përçarjeve që nxisin.

Gjithashtu, në demotivimin e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset politike ndikojnë edhe pabarazitë sociale dhe ekonomike. Këto luajnë rol negativ, pasi individët në situata të pasigurta shpesh kanë më pak kohë, burime ose energji për t’u angazhuar në jetën politike.

Ekziston edhe një ndjenjë pafuqie, pasi disa qytetarë besojnë se vendimet merren diku tjetër, nga elitat apo institucionet ndërkombëtare, ku ata nuk kanë qasje dhe as ndikim. Kjo e zvogëlon edhe më tej motivimin e tyre. Kështu, angazhimi dhe pjesëmarrja bëhen problematike kur qytetarët nuk besojnë më se përfshirja e tyre ka ndikim real, apo kur kushtet ekzistuese nuk e lehtësojnë angazhimin e tyre.

Demokracia dhe kriza e besimit të qytetarëve në politikë

Në politikë, besimi është i rëndësishëm, pasi e bën procesin e marrjes dhe zbatimit të vendimeve më të lehtë dhe më të thjeshtë, duke reduktuar kundërshtimet, fërkimet dhe konfliktet politike. Ai gjithashtu rrit motivimin e qytetarëve për pjesëmarrje në proceset politike dhe interesimin e tyre për vendimmarrje.

Megjithatë, aktualisht ekziston krizë përfaqësimi në demokracitë e sotme, pasi qytetarët nuk qeverisin drejtpërdrejt, por zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë. Shumë qytetarë besojnë se politikanët që zgjedhin nuk i përfaqësojnë më vërtet, ose se vendimet ndikohen nga faktorë të tjerë, si elitat ekonomike dhe teknokratike.

Kjo krijon ndjenja pakënaqësie dhe zhgënjimi, duke i orientuar qytetarët drejt abstenimit ose formave të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, deri te protestat. Si rrjedhojë, pjesëmarrja politike bëhet e pabarabartë.

Ata që janë më të arsimuar ose që kanë më shumë burime ekonomike janë më të informuar dhe marrin pjesë më shumë në proceset politike. Nga ana tjetër, shumë qytetarë kanë reduktuar pjesëmarrjen në zgjedhje; ata nuk votojnë më dhe, për rrjedhojë, janë më pak të përfaqësuar, pasi ndihen të përjashtuar nga sistemi politik.

Kështu, pjesëmarrja bëhet problematike sepse është e pabaraspeshuar, gjë që dobëson demokracinë. Edhe pse është fakt se pjesëmarrja në zgjedhje u mundëson politikanëve të zgjidhen, ata duhet, përmes aktiviteteve dhe veprimeve të tyre, të krijojnë kushte për një pjesëmarrje më të madhe dhe më aktive të qytetarëve.

Politikanët duhet të krijojnë një klimë që rrit besimin në politikë dhe t’i japin rëndësi demokracisë, pasi një numër i konsiderueshëm qytetarësh e ka humbur besimin në to.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat