“Triumfi e kombit”: Shqipëria dhe Kosova janë të shqiptarëve dhe jo të hajnave, zullumqarëve, oligarkëve e tradhëtarëve

Opinione

“Triumfi e kombit”: Shqipëria dhe Kosova janë të shqiptarëve dhe jo të hajnave, zullumqarëve, oligarkëve e tradhëtarëve

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 5 qershor 2026 Në ora: 11:22
Skënder Sadri Kapiti

Në mbështetje të protestuesve në Tiranë, të Lëvizjes më të madhe patriotike në historinë e shtetit shqiptar.

Protesta gjithkombëtare në Tiranë nuk është protestë lokale, pra nuk është vetëm për Vërnecin, por kjo protestë ka karakter patriotik e kombëtar. Nuk është protestë antikombëtare, por në të, të gjithë që flasin si temë kanë Shqipërinë etnike, diasporën patriotike, kanë flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës, kanë Çamërinë, kanë mbrojtjen e pasurive kombëtare, bukurive dhe mrekullive natyrore.

Nuk është protestë kundër investimeve dhe zhvillimit, por është protestë kundër ndërtimeve e projekteve rrënuese e shkatërruese të natyrës; protestë kundër oligarkëve të pangopur e të pashpirt, që për paranë dhe pasurimin e tyre betonizojnë qytetet e bregdetin, shkatërrojnë lumenjtë dhe, ndonjë ditë ndoshta do të kemi edhe ndonjë “paketë për detin”, që deti, hapësira ujore, të ndahet, parcelizohet e të privatizohet, sepse çfarë nuk pritet nga kjo babëzi e grykësi grabitqare e pangopur.

Tokat dhe trojet kanë pronarë, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria, shteti, shoqëria dhe interesi kombëtar janë pronë private. Në një shtet republikan duhet që interesi privat të jetë në harmoni me interesin publik; prona private dhe ajo shtetërore zhvillohen duke mos dëmtuar shtetin dhe interesin publik për interesa private dhe ato korruptive të politikës. Toka nuk u shitet të huajve, por atyre u jepet me qira, dhe për investimet strategjike duhet marrë në konsideratë dëgjesa e komunitetit dhe ajo publike, dhe jo të merren vendime të fshehta e tinëzare.

Protestues, rini dhe qytetarë, ju ka ftuar për ndihmë e mbrojtje atdheu, Shqipëria; ju ka ftuar nderi, dinjiteti e krenaria kombëtare. Sot është momenti të përcaktohet e të mbahet qëndrimi se kush është patrioti i vërtetë. Sa mjerim është për ata frikacakë, dembelë, servilë e indiferentë, por edhe më shumë sa mjerim është për ata tradhtarë që vjellin helm dhe akuza kundër jush, pse ju protestoni kundër pazareve dhe ankandit me pasuritë, detin, territorin, malet e fushat e Shqipërisë. Sa mjerim është për tradhtarët, hajdutët e zullumqarët, prej të cilëve rinia dhe qytetaria shqiptare detyrohet ta braktisin atdheun.

Për ju, rinia patriotike dhe elita qytetare shqiptare, atdheu, nderi, dinjiteti dhe krenaria kombëtare kërkojnë ndihmën tuaj. Shqipëria nuk është e tradhtarëve, por Shqipëria është djepi i të gjithë bijve dhe bijave të veta.

Shqipërinë ju po e mbroni edhe që të mos bjerë në dekadencë morale, politike, ekonomike; ju po e mbroni Shqipërinë dhe sovranitetin e saj nga kërcënimi prej krimit e korrupsionit; po mbroni vlerat kundër antivlerave; po mbroni familjen shqiptare, kombin dhe atdheun, traditat dhe trashëgiminë e vyer kombëtare; po mbroni trojet, malet, detin, pasuritë e Shqipërisë e të shqiptarëve kundër hajnisë, tradhtisë, matrapazëve e zullumqarëve.

Ju po bëni epokë të re për një Shqipëri të re kundër të vjetrës së korruptuar që e ka marrë peng Shqipërinë. Te ju rinia dhe te elita e vërtetë qytetare është shpresa se Shqipëria do të bëhet. Prej jush kërkohet që shqiptarëve t’u sigurohet mirëqenia dhe siguria për të tashmen, në mënyrë që të mos ketë pasiguri dhe ankth për të nesërmen. Ju po mbroni Shqipërinë që na e kanë lënë amanet të parët, dhe që e kemi sot shtet prej sakrificave dhe gjakut të brezave të mëparshëm.

Këto janë të vërtetat, prandaj edhe populli po ju mbështet, por qëndrojini besnik kauzës kombëtare dhe mos zhgënjeni si politika e vjetër që duhet të shkojë.

Më 7 qershor 2026 janë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Votues patriotë të Kosovës, mos i votoni hajnat dhe as ata që bënë pazare dhe që falën trojet shqiptare Malit të Zi e Maqedonisë; mos i votoni hajnat që kanë grabitur troje e pasuri kombëtare; mos i votoni ata që kanë bashkëqeverisur me Listën Serbe; mos i votoni ata që bënë marrëveshje për formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe; mos i votoni ata të cilët e kishin braktisur Veriun e Kosovës dhe që kishin lejuar struktura paralele në Kosovë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat