U mbushën dy javë që në Shqipëri mbahen protestat më të mëdha patriotike në historinë e Shqipërisë. Këto protesta po bëjnë epokë. Këto janë protesta në mbrojtje të dinjitetit dhe krenarisë kombëtare; janë protesta që mbrojnë Shqipërinë nga pazaret e politikës dhe oligarkëve me trojet, natyrën dhe mrekullitë natyrore të saj; janë protesta kundër regjimit kriminal të korrupsionit dhe tradhtisë.
Janë protesta për Shqipërinë e Re, për Shqipërinë etnike dhe të bashkuar.
Por, çuditërisht, Kosova, mediat, politika dhe shoqëria në Kosovë qëndrojnë indiferente dhe heshtin. Në Shqipëri protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, por Kosova hesht, në një kohë kur kosovarët ankoheshin gjithmonë se kryeministri i Shqipërisë ndërhynte dhe fliste për Kosovën pa pyetur askënd në Kosovë; në një kohë kur kryeministri i Shqipërisë ishte mbështetësi më i madh i ndarjes së Kosovës dhe i Mini-Shengenit antikosovar; kur ai e quajti veriun e Kosovës “tokë të askujt”; kur në Kosovë deklarohej se Rama duhej shpallur “non grata”; kur për Ramën Serbia dhe marrëdhëniet me Serbinë ishin më të rëndësishme sesa Kosova; kur ai dhe partia e tij nuk kanë miratuar as një rezolutë për dënimin e gjenocidit serb.
Si ka mundësi që mediat më të mëdha botërore i pasqyrojnë protestat në Shqipëri, ndërsa në Kosovë shumë pak e bëjnë këtë?
Vijnë në Shqipëri gazetarë nga Kosova dhe i servilosen kryeministrit dhe regjimit të tij, por nuk vijnë gazetarë nga Kosova për të intervistuar ndonjë protestues. Si ka mundësi që nuk doli asnjë politikan nga Kosova të shprehet në mbështetje të këtyre protestave? Si nuk dalin disa protestues në ndonjë cep të Prishtinës apo diku tjetër për t’u solidarizuar me ata mijëra e mijëra protestues në Tiranë?
Kosovë, merr shembull nga protestat në Shqipëri, nga këto protesta model i qytetarisë dhe patriotizmit.