Krimineli i luftës Ratko Mlladiç u varros si hero në Beograd më 7 shtator 2026, pavarësisht paralajmërimeve të BE-së.
Tribunalet e Hagës e kishin dënuar për gjenocid në Srebrenicë, për rrethimin e Sarajevës dhe për krime kundër njerëzimit.
Ai vdiq më 27 gusht, duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.
Serbia e solli trupin me avion qeveritar, ushtarët mbajtën arkivolin e mbuluar me flamur, Patriarku Porfirije drejtoi ceremoninë, roja e nderit qëlloi tre breshëri.
Ministrat e qeverisë serbe, Milorad Dodiku dhe ambasadori rus ishin aty te varri i Ratko Mladiç në Beograd.
Presidenti Aleksandar Vuçiç qëndroi larg, duke përmendur vizitën e presidentit të Uzbekistanit, ndërsa djali i tij Danilo mori pjesë.
Kjo është e gjithë historia dhe dokumenti që Uashingtoni dhe Brukseli tani duhet ta lexojnë pa eufemizma.
Ceremonia nuk u bë për Brukselin.
Ajo iu drejtua elektoratit nacionalist, Kishës Ortodokse, veteranëve serbo-boshnjakë dhe Republikës Srpska. Për një pjesë të madhe të atij publiku, Mlladiçi mbetet komandanti që “mbrojti serbët”, jo njeriu që mbikëqyri vrasjen e më shumë se 8 000 burrave dhe djemve boshnjakë.
Patriarku Porfirije tha se emri i tij do të mbetet “thellësisht i gdhendur në kujtesën dhe lutjet” e popullit ortodoks serb. Kjo nuk është lapsus, por është narrativa fetare zyrtare dhe narrativa serbe.
Metoda e Vuçiçit është e njohur, ka afro dy dekada që ai “ulet me dy karrige” njëher nga Washingtoni dhe Brukseli dhe njé her nga Moska. Një her me një fytyrë drejt BE-së, një tjetër drejt bazës nga e cila ka ardhur (kujtojmë kur ishte zëdhënës dhe ministër informacioni i Millosheviçit,në korrik 1995, ndërsa Srebrenica po masakrohej, ai deklaroi se “për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë”, ndërsa prania e tij në Pale dhe mbi Sarajevë mbetet e lidhur me rrethimin dhe terrorin e snajperistëve).
Zyrtarisht ai nuk qëndroi te varri.
Por përdori asetet e shtetit, avionin, ushtarët, ministrat, transmetimin në televizionin pro-qeveritar dhe e quajti ngjarjen “shpërthim emocional” që “nuk kishte të bënte me lejimin e tij”.
Mbulesa ligjore dhe diplomatike për të folur me botën ishte “funerali familjar”. Ndërsa substanca politike është kulti i heroit i mundësuar nga shteti.
Para zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, baza që ende i trajton vitet 1990 si punë të papërfunduar duhej të ushqehej.Prania e Dodikut e lidhi aktin me vijën separatiste të Banja Lukës, ambasadori i Moskës e plotësoi tablonë.
Beogradi e dinte reagimin. E zgjodhi kthimin vendas kundrejt kostos diplomatike.
Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, anuloi vizitën dhe e quajti glorifikimin të papajtueshëm me vlerat e një vendi kandidat. Von der Leyen dhe Costa i cilësuan imazhet “tronditëse”.
Bosnja njoftoi tërheqjen e shumicës së stafit të ambasadës.
Senatorët Jeanne Shaheen dhe Chuck Grassley, së bashku me përfaqësuesin Keith Self, kishin paralajmëruar se shoqërimi zyrtar do të ishte përdhosje e viktimave.
Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se mohimi i gjenocidit dëmton Dayton-in.
Asgjë nga këto nuk ishte surprizë.
Serbia është kandidat i BE-së që nga 2014. Procesi ka ngecur te sundimi i ligjit, kapja e medias dhe refuzimi i sanksioneve ndaj Rusisë.
Funerali i një gjenocidisti të dënuar nuk krijon problem të ri, e bën të vjetrin të dukshëm.
Supozimi i Uashingtonit se Vuçiç është bashkëbisedues i vështirë, por i përdorshëm, u vu në provë, një qeveri që sjell në shtëpi arkitektin e Srebrenicës me avion shtetëror, e mbështjell me flamur dhe i vë ministrat në rreshtin e parë, nuk menaxhon pikëllimin. Serbia zgjedh historinë që do t’i mësojë brezit të ardhshëm.
E njëjta logjikë e mohimit prek Kosovën.
Nën Sllobodan Millosheviçin, forcat serbe në 1998–1999 vranë mijëra shqiptarë, dëbuan rreth 800 000 njerëz dhe lanë pas varreza masive.
Tribunalet e Hagës e lidhën atë fushatë me ndërmarrjen e përbashkët kriminale për “Serbinë e Madhe”.
Mlladiçi ishte produkt i të njëjtit aparat që e shndërroi dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në politikë shtetërore.
Varrimi i tij si hero në Beograd është mesazh edhe për Prishtinën, koha kur krimet e viteve ’90 ende shiten si mbrojtje kombëtare.
Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja mund të lëshojnë deklarata. Nuk është e thënë që ata dotë e detyrojnë Beogradin ta trajtojë vendimin për gjenocid si të detyrueshëm, përderisa tregu politik vendor e paguan mohimin.
Por ceremonia e cila ishte dinjitoze tregon qart se dinjiteti ishte qëllimi që të shndërrohej një vdekje në burg në liturgji kombëtare. Megjithse Serbia e dinte kundërshtimin ndërkombëtar dhe vazhdoi.
Kjo tashmë nuk është më një kuriozitet ballkanik për botën.
Ajo është kujtesë se gjuha e anëtarësimit dhe kujtesa e luftës ecin në dy shina.
Uashingtoni dhe Brukseli në ardhjen e liderve botëror në New York- Asamblenë e Pérgjithshme duhet të pyesë hapur se përse Beogradi zgjodhi gjenocidistin e jo partnerët euroatlantikë, Uashingtonin e Brukselin?