Dorëheqja e Gazmend Hoxhës dhe fillimi i munguar i llogaridhënies politike në Republikën e Kosovës

Opinione

Dorëheqja e Gazmend Hoxhës dhe fillimi i munguar i llogaridhënies politike në Republikën e Kosovës

Nga: Nehat Hyseni Më: 31 tetor 2026 Në ora: 16:29
Nehat Hyseni

Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, më 30 tetor 2026, pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për institucionet e sigurisë, sistemin e drejtësisë dhe përgjegjësinë politike në Kosovë.

Megjithatë, rëndësia e këtij akti nuk qëndron vetëm te largimi i një drejtuesi të lartë policor nga detyra.

Çështja thelbësore është nëse kjo dorëheqje do të shërbejë si pikënisje për një proces të mirëfilltë të llogaridhënies institucionale, apo do të mbetet një veprim individual, i cili do të përdoret për të zbutur presionin e opinionit publik dhe për të shmangur përgjegjësitë e tjera.

Rasti i Arlinda Zekajt e ka nxjerrë në pah një problem shumë më të thellë sesa një dështim i mundshëm i një zyrtari ose i një institucioni të vetëm: funksionimin e zinxhirit institucional që duhet të garantojë mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë mbrojtje nga shteti.

Gazmend Hoxha, në letrën e tij drejtuar kryeministrit Kurti, e arsyetoi dorëheqjen me përgjegjësinë institucionale dhe morale që ndiente pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ai theksoi se përgjegjësia e një drejtuesi nuk përfundon te veprimet individuale të vartësve, por përfshin edhe standardet e ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit të institucionit që drejton.

Në këtë kuptim, dorëheqja e tij duhet dalluar nga një pranim i drejtpërdrejtë i përgjegjësisë penale ose i fajësisë personale. Ajo paraqitet si marrje e përgjegjësisë morale për funksionimin e institucionit.

Ky dallim është i rëndësishëm, sepse përgjegjësia morale e drejtuesit, përgjegjësia disiplinore e zyrtarëve dhe përgjegjësia penale e personave konkretë janë kategori të ndryshme, të cilat duhet të përcaktohen përmes procedurave përkatëse.

Nuk dështoi vetëm Policia!

Sipas gjetjeve preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës, në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt janë identifikuar disa lëshime serioze.

Ndër të tjera, është konstatuar se:

Nuk ishte dokumentuar zbatimi i urdhrit gjyqësor për mbrojtjen e viktimës, të nxjerrë më 7 shtator.

Një vendim tjetër gjyqësor i 16 tetorit ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.

Zinxhiri komandues policor nuk kishte trajtuar kërkesën e hetuesit për rivlerësimin e rastit dhe shtimin e masave mbrojtëse, përfshirë vizitat e patrullave policore në shtëpinë e viktimës.

Këto gjetje, të cilat kanë karakter preliminar, kërkojnë hetim dhe verifikim të plotë!

Por ato ngrenë një pyetje serioze: si është e mundur që një qytetare, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore, të mbetej e ekspozuar ndaj rrezikut për jetën?

Përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm në një hallkë të zinxhirit institucional!

Policia, prokuroria, gjykatat dhe shërbimet sociale kanë kompetenca të ndryshme, por edhe përgjegjësi të ndërlidhura. Kur këto institucione nuk komunikojnë dhe nuk veprojnë në kohë, pasojat mund të jenë fatale.

Prandaj, rasti Zekaj duhet të trajtohet si një çështje e përgjegjësisë së përbashkët institucionale, pa e relativizuar përgjegjësinë individuale të secilit zyrtar që mund të ketë shkelur detyrimet e veta.

Dorëheqja - një zinxhir i tërë përgjegjësish

Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës kishte pezulluar 11 zyrtarë policorë të përfshirë në trajtimin e rastit. Në të njëjtën kohë, ishin pezulluar edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri.

Kjo tregon se përgjegjësia institucionale nuk përfundon me ndryshimin e drejtuesit të Policisë.

Nëse hetimet vërtetojnë se ka pasur neglizhencë, mosveprim, moszbatim të vendimeve gjyqësore ose shpërfillje të paralajmërimeve për rrezikun ndaj viktimës, atëherë secili person përgjegjës duhet të japë llogari, pavarësisht pozitës dhe funksionit.

Në këtë kontekst, Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.

Megjithatë, komisioni parlamentar nuk duhet të shndërrohet në një instrument të përplasjes ndërpartiake!

Ai duhet të kontribuojë në zbardhjen e përgjegjësive dhe në identifikimin e dobësive sistemore, duke respektuar pavarësinë e hetimeve penale.

Përgjegjësia politike e ministrave dhe kryeministrit

Një dimension tjetër i kësaj krize lidhet me përgjegjësinë politike të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e tyre, duke argumentuar se përgjegjësia për funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk mund të kufizohet vetëm te zyrtarët e niveleve operative.

Kjo kërkesë duhet analizuar në kontekstin e përgjegjësisë politike dhe jo të fajësisë penale.

Ministri i Punëve të Brendshme mban përgjegjësi politike për politikat, mbikëqyrjen dhe funksionimin e përgjithshëm të sektorit policor, ndërsa ministrja e Drejtësisë për politikat dhe funksionimin e fushës së saj institucionale.

Por përgjegjësia e tyre konkrete duhet vlerësuar mbi bazën e kompetencave ligjore, informacioneve që kanë pasur dhe veprimeve që kanë ndërmarrë ose nuk kanë ndërmarrë.

Kryeministri, ndërkaq, nuk mund të qëndrojë vetëm në pozitën e një vëzhguesi të krizës. Ai është përgjegjës për funksionimin e përgjithshëm të Qeverisë dhe për sigurimin e mekanizmave të koordinimit ndërmjet institucioneve.

Në demokracitë parlamentare, përgjegjësia politike nuk nënkupton domosdoshmërisht se çdo dështim operacional kërkon dorëheqjen automatike të ministrit.

Por kur shfaqen mangësi serioze dhe të përsëritura në funksionimin e një sektori, ministrat duhet të japin shpjegime bindëse dhe t'i nënshtrohen kontrollit parlamentar e publik.

Dorëheqja si instrument për rikthimin e besimit publik

Një nga problemet më serioze që prodhon një rast i tillë është humbja e besimit të qytetarëve në aftësinë e shtetit për t'i mbrojtur ata.

Qytetarët nuk presin vetëm deklarata solidariteti pas tragjedive. Ata presin që institucionet të veprojnë para se të ndodhë tragjedia.

Në rastin e Arlinda Zekajt, pikërisht këtu qëndron dimensioni më shqetësues: sipas të dhënave të publikuara, viktima kishte kërkuar ndihmë dhe kishte qenë në kontakt me institucionet përkatëse, por mekanizmat mbrojtës nuk funksionuan në mënyrën e duhur.

Për këtë arsye, dorëheqja e Hoxhës mund të konsiderohet një shprehje e përgjegjësisë morale, por nuk mund të jetë zëvendësim për hetimin e plotë dhe reformimin e mekanizmave institucionalë.

Nëse pas kësaj dorëheqjeje gjithçka vazhdon sipas praktikave të mëparshme, pa ndryshime konkrete në procedurat e mbrojtjes së viktimave, atëherë qytetarët do ta perceptojnë këtë akt si një reagim formal ndaj presionit publik.

Ndërkaq, nëse ajo pasohet nga masa konkrete, transparencë dhe llogaridhënie, mund të shndërrohet në një moment të rëndësishëm për përmirësimin e funksionimit të institucioneve.

Kosova ka ndërtuar gjatë viteve institucione të sigurisë dhe drejtësisë që kanë kaluar nëpër sfida të shumta.

Policia e Kosovës, në veçanti, ka pasur përgjegjësi të rëndësishme në ruajtjen e rendit kushtetues, sigurisë publike dhe integritetit territorial të vendit.

Edhe vetë Hoxha, në letrën e dorëheqjes, ka evidentuar rezultatet e Policisë gjatë mandatit të tij, përfshirë operacionet në veri, luftën kundër krimit të organizuar dhe trajtimin e rasteve të sigurisë kombëtare.

Këto rezultate duhet të vlerësohen veçmas nga dështimet eventuale në rastin Zekaj. Një institucion mund të ketë rezultate të rëndësishme në një fushë dhe, njëkohësisht, të ketë mangësi serioze në një tjetër.

Pikërisht për këtë arsye, analiza institucionale nuk duhet të shndërrohet as në mbrojtje automatike të drejtuesve, as në delegjitimim të të gjithë institucionit!

Kosovës i nevojitet një sistem ku çdo raportim për dhunë në familje trajtohet si sinjal serioz rreziku, ku vendimet gjyqësore zbatohen pa vonesa dhe ku informacionet ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale shkëmbehen në mënyrë efikase.

Përfundim

Dorëheqja e Gazmend Hoxhës e ka vendosur çështjen e përgjegjësisë institucionale në qendër të debatit publik në Kosovë.

Por kjo nuk duhet të jetë fundi i këtij debati!

Përgjegjësia nuk mund të jetë selektive, e kufizuar vetëm te një drejtor policie, një komandant, një hetues apo një prokuror.

Ajo duhet të përcaktohet në mënyrë objektive, në përputhje me kompetencat, detyrimet dhe veprimet konkrete të secilit institucion dhe zyrtar.

Nga ana tjetër, as presioni publik dhe as kërkesat politike nuk duhet të zëvendësojnë procedurat ligjore!

Por ato nuk mund të shpërfillen kur shprehin një shqetësim real për sigurinë dhe funksionimin e shtetit.

Një shtet demokratik nuk dëshmohet vetëm me numrin e arrestimeve, operacioneve policore apo deklaratave institucionale, por mbi të gjitha me aftësinë për të mbrojtur jetën e qytetarëve të vet.

Prandaj, pyetja që mbetet për Qeverinë e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë është shumë më e madhe sesa kush do ta zëvendësojë Gazmend Hoxhën:

A do të shërbejë tragjedia e Arlinda Zekajt si pikë kthese për përgjegjësinë dhe reformimin institucional, apo do të mbetet edhe një rast tjetër ku institucionet reagojnë vetëm pasi është humbur një jetë njerëzore?

Kjo është prova e vërtetë e përgjegjësisë shtetërore dhe e besueshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës!

Preshevë, më 31 tetor 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat