Ngatërrimi i votës me qeverisjen pa llogaridhënie dhe eskalimi i pakënaqësisë popullore

Opinione

Ngatërrimi i votës me qeverisjen pa llogaridhënie dhe eskalimi i pakënaqësisë popullore

Nga: Nehat Hyseni Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 13:13
Nehat Hyseni

Evropa dhe Ballkani Perëndimor po përjetojnë një periudhë të veçantë të tensioneve politike, sociale dhe institucionale, e cila po shfaqet përmes protestave masive, mobilizimit të gjeneratave të reja, kundërshtimit të korrupsionit dhe refuzimit gjithnjë e më të hapur të arrogancës së pushtetit.

Ajo që në pamje të parë mund të duket si një varg protestash të izoluara, të nxitura nga probleme të ndryshme kombëtare, në thelb paraqet një fenomen më të thellë sociologjik: zgjerimin e hendekut ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve politike që pretendojnë t’i përfaqësojnë ata.

Në Francë, Spanjë, Portugali, Itali, Shqipëri dhe vende të tjera evropiane, qytetarët po dalin në rrugë për të kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës, pamundësinë për të siguruar banim të përballueshëm, përkeqësimin e kushteve të arsimit, pasigurinë ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen.

Në këtë kontekst, zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi, ku lista e studentëve arriti një fitore të thellë ndaj listës së udhëhequr nga Aleksandar Vuçiqi, përfaqësojnë një zhvillim me rëndësi të veçantë politike.

Ato dëshmojnë se pakënaqësia e akumuluar shoqërore mund të shndërrohet edhe në ndryshim përmes mekanizmave demokratikë dhe votës së lirë.

Ndërkohë, në Shqipëri, protestat studentore dhe qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa në Kosovë mobilizimi qytetar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kanë nxjerrë në pah një problematikë edhe më të ndërlikuar: përgjegjësinë e institucioneve publike për jetën, sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Këto zhvillime nuk përbëjnë domosdoshmërisht një lëvizje të vetme, të organizuar apo të koordinuar ndërkombëtarisht!

Megjithatë, ato shprehin një ngjashmëri të dukshme në raportin e qytetarëve me pushtetin: njerëzit nuk dëshirojnë më të jenë vetëm votues periodikë, por kërkojnë të trajtohen si bartës të sovranitetit dhe kontrollues të vazhdueshëm të institucioneve.

Këtu qëndron edhe thelbi i asaj që mund ta quajmë shpërthimi i “bombës sociale” në Evropë dhe Ballkan.

Humbja e Vuçiqit në zgjedhjet e 25 tetorit

Zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi shënuan një moment të rëndësishëm në zhvillimet politike të këtij shteti.

Lista studentore, e cila u shndërrua në bartëse të një mobilizimi të gjerë qytetar kundër korrupsionit dhe mënyrës autoritare të qeverisjes, arriti të fitojë mbi 52 për qind të votave në rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Republikan Zgjedhor.

Lista e Aleksandar Vuçiqit mbeti në rreth 39 për qind.

Vuçiqi e pranoi humbjen politike të listës së tij dhe fitoren e kundërshtarëve studentorë.

Ky rezultat nuk duhet interpretuar thjesht si një humbje e zakonshme e një partie në zgjedhje. Ai është kulminacion i një procesi të gjatë të pakënaqësisë shoqërore, i cili mori përmasa të mëdha pas tragjedisë së shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Tragjedia u shndërrua në simbol të kërkesës për përgjegjësi institucionale, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit.

Studentët nuk kërkuan vetëm ndëshkimin e përgjegjësve të drejtpërdrejtë, por edhe ndryshimin e një modeli të qeverisjes, në të cilin përgjegjësia politike shpesh zëvendësohet me propagandë, relativizim dhe përpjekje për të delegjitimuar kritikën.

Për gati dy vjet, mobilizimi studentor u zgjerua përtej universiteteve dhe përfshiu shtresa të ndryshme të shoqërisë serbe.

Rëndësia e kësaj lëvizjeje qëndron edhe në faktin se studentët arritën ta ruajnë një identitet relativisht autonom nga partitë tradicionale opozitare.

Ata artikuluan kërkesën për institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, duke e shndërruar pakënaqësinë e shpërndarë në një alternativë elektorale.

Prandaj, humbja e Vuçiqit është një paralajmërim për të gjitha qeveritë e rajonit se kontrolli i institucioneve, dominimi mediatik dhe epërsia parlamentare nuk garantojnë përjetësisht legjitimitetin politik!

Një qeveri mund të ketë fituar zgjedhjet e mëparshme, por kjo nuk do të thotë se qytetarët i kanë dhënë një çek të bardhë për të qeverisur pa kontroll demokratik.

Vota popullore është mandat për qeverisje, jo licencë për arrogancë dhe pandëshkueshmëri!

Protestat në Evropë: ngjashmëritë dhe veçantitë e pakënaqësive shumëdimensionale

Protestat e vjeshtës së vitit 2026 në Evropë dëshmojnë se pakënaqësia e gjeneratave të reja nuk kufizohet vetëm në një problem ekonomik apo politik.

Ajo përfaqëson një krizë shumëdimensionale, në të cilën ndërthuren pasiguria materiale, pamundësia për mobilitet social, mosbesimi ndaj elitave politike dhe ndjenja se institucionet nuk po i dëgjojnë qytetarët.

Në Francë, protestat e nxënësve dhe të rinjve janë lidhur me mungesën e mësimdhënësve, kushtet e papërshtatshme në shkolla, mbingarkesën mësimore dhe problemet e sistemit të pranimit në universitet.

Në Spanjë dhe Portugali, një ndër shkaqet kryesore të mobilizimit është kriza e banimit. Çmimet e larta të pronave dhe qirave, sidomos në qytetet e mëdha, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë pavarësimin ekonomik të të rinjve.

Për një pjesë të konsiderueshme të kësaj gjenerate, punësimi nuk garanton më siguri ekonomike, ndërsa arsimi universitar nuk përkthehet domosdoshmërisht në perspektivë profesionale dhe sociale.

Në Itali, protestat kanë përfshirë gjithashtu kërkesa për financim më të mirë të universiteteve, mbështetje për studentët dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Në Shqipëri, situata ka një karakter më të theksuar politik. Protestat studentore të tetorit u zgjeruan në një mobilizim qytetar kundër korrupsionit të perceptuar, mungesës së perspektivës ekonomike, problemeve të arsimit dhe mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës.

Kjo tregon se protestat nuk kanë të gjitha të njëjtën natyrë dhe as të njëjtin objektiv.

Megjithatë, ekzistojnë së paku pesë elemente të përbashkëta:

Së pari, kriza e përfaqësimit politik. Qytetarët ndihen gjithnjë e më pak të përfaqësuar nga partitë tradicionale dhe nga politikanët që, pas fitimit të zgjedhjeve, shpesh distancohen nga premtimet elektorale.

Së dyti, pasiguria ekonomike. Rritja e çmimeve, banimi i papërballueshëm, pagat e pamjaftueshme dhe mungesa e perspektivës së punësimit po e dobësojnë besimin e të rinjve në të ardhmen.

Së treti, kriza e meritokracisë. Perceptimi se avancimi në shoqëri varet më shumë nga lidhjet politike, nepotizmi dhe privilegjet sesa nga aftësitë profesionale krijon frustrim të thellë.

Së katërti, arroganca institucionale. Kur pushteti i trajton kritikat si armiqësi politike dhe protestuesit si kundërshtarë të shtetit, ai e thellon konfliktin në vend që ta zgjidhë atë.

Së pesti, kërkesa për dinjitet dhe pjesëmarrje. Gjeneratat e reja nuk kërkojnë vetëm përmirësime materiale, por edhe respekt, transparencë, drejtësi dhe mundësi reale për të ndikuar në vendimmarrje.

Megjithatë, duhet bërë një dallim thelbësor: jo çdo protestë është studentore, jo çdo pakënaqësi është revolucionare dhe jo çdo manifestim i dhunshëm përfaqëson vullnetin e shumicës së protestuesve!

Në Francë janë evidentuar edhe përplasje, dëmtime pronash dhe incidente me policinë. Në Portugali, protestat kundër krizës së banimit kanë marrë forma të tjera, përfshirë ngritjen e kampeve protestuese. Në Spanjë, çështja e banimit është ndër motivet kryesore të mobilizimit.

Këto dallime janë të rëndësishme për të mos e reduktuar një fenomen kompleks në një formulë të vetme politike.

Shqipëria dhe protestat ndaj Qeverisë Rama

Zhvillimet në Tiranë përbëjnë një nga rastet më domethënëse të kësaj vale të pakënaqësisë!

Protestat studentore dhe qytetare, të cilat gjatë muajve të mëparshëm kishin artikuluar kërkesa të ndryshme sociale dhe institucionale, u zgjeruan në tetor në një kundërshtim të fuqishëm ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Më 14 tetor, demonstratat u përshkallëzuan në incidente të rënda, përfshirë djegie, dëmtime të ndërtesave dhe përplasje me policinë.

Kjo shënoi një ndryshim të rëndësishëm në dinamikën e protestave.

Përtej kërkesave studentore për përmirësimin e kushteve të arsimit, u shfaqën edhe kërkesa më të gjera për përgjegjësi politike, luftë kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit.

Këtu qëndron një paradoks i rëndësishëm i kulturës sonë politike: pushtetet shpesh i shpërfillin protestat paqësore, i relativizojnë kërkesat e tyre dhe i trajtojnë me përçmim, ndërsa vetëm pas shfaqjes së tensioneve dhe incidenteve të dhunshme fillojnë të flasin për dialog.

Kjo qasje është e gabuar dhe potencialisht e rrezikshme!

Dialogu demokratik duhet të fillojë përpara se pakënaqësia të shndërrohet në shpërthim social, jo vetëm pasi të digjen ndërtesat dhe të dëmtohet prona publike apo private!

Megjithatë, asnjë pakënaqësi politike, sado e justifikuar, nuk mund të legjitimojë dhunën, vandalizmin apo sulmet ndaj qytetarëve dhe institucioneve.

Përgjegjësia e qeverisë për të dëgjuar protestuesit nuk e përjashton përgjegjësinë individuale të atyre që kryejnë akte kriminale.

Në të njëjtën kohë, qeveria nuk mund ta përdorë dhunën e një pjese të protestuesve për t’i delegjitimuar të gjitha kërkesat e një lëvizjeje qytetare.

Kjo do të ishte një mënyrë tjetër për t’iu shmangur përgjegjësisë politike.

Rasti shqiptar dëshmon se kur pushteti nuk e kupton në kohë sinjalin e pakënaqësisë, protestat mund të kalojnë nga kërkesat sektoriale në kundërshtim të përgjithshëm politik.

Ky është një paralajmërim serioz edhe për Kosovën!

Kosova midis krizës institucionale dhe pakënaqësisë qytetare

Situata në Kosovë paraqet një kombinim të veçantë të tensioneve politike, emocioneve historike dhe krizës së besimit institucional.

Gjatë muajit shtator dhe tetor 2026, shoqëria kosovare u përball me disa zhvillime të rëndësishme, të cilat, ndonëse të ndryshme për nga natyra, ndikuan në atmosferën politike dhe publike.

Së pari, më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Dënimet e shqiptuara ishin 25 vjet për Thaçin dhe Krasniqin, 18 vjet për Veselin dhe 13 vjet për Selimin.

Ky vendim shkaktoi reagime të fuqishme në Kosovë, për shkak të rëndësisë historike dhe politike që lufta e UÇK-së ka në identitetin shtetëror dhe kolektiv të shoqërisë kosovare.

Për një pjesë të madhe të qytetarëve, procesi gjyqësor u perceptua përmes shqetësimit se si do të vlerësohet historikisht lufta çlirimtare dhe sakrifica për lirinë e Kosovës.

Megjithatë, duhet bërë dallimi ndërmjet respektimit të luftës çlirimtare dhe vlerësimit juridik të përgjegjësisë individuale penale.

E drejta për gjykim të drejtë, prezumimi i pafajësisë deri në vendimin përfundimtar dhe mundësia e ankimit janë parime themelore të shtetit juridik.

Mbrojtja e dinjitetit të luftës së UÇK-së nuk duhet të shndërrohet në mohim të parimeve të drejtësisë, as kritika ndaj vendimeve të Speciales nuk duhet të interpretohet automatikisht si kundërshtim i drejtësisë ndërkombëtare.

Së dyti, Kosova u përball me krizën e zgjedhjes së presidentit të Republikës.

Pas një periudhe të gjatë të përplasjes politike dhe rrezikut për zgjedhje të reja parlamentare, më 6 tetor Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidente me 81 vota.

Ky rezultat mundësoi shmangien e një krize të re institucionale, por kompromisi politik që e shoqëroi zgjedhjen e saj nuk duhet interpretuar si zgjidhje automatike e problemeve të demokracisë kosovare.

Së treti, në të njëjtën seancë parlamentare, Kuvendi miratoi me 88 vota ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Iniciativa synonte ndryshimin e disa elementeve të kompetencave dhe funksionimit të Speciales, përfshirë çështje që lidhen me juridiksionin dhe transferimin e rasteve.

Ky veprim u shoqërua me kritika dhe shqetësime për përputhshmërinë me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Prandaj, nuk mund të thuhet se ndryshimet e miratuara tashmë kanë hyrë në fuqi apo se çështja është përmbyllur juridikisht.

Nga pikëpamja politike, është e kuptueshme që institucionet të përpiqen të ulin tensionet e krijuara pas aktgjykimit të Hagës.

Por legjislacioni nuk duhet të shndërrohet në instrument të improvizimit politik dhe as në mjet për të menaxhuar emocionet e momentit!

Shteti juridik kërkon që ligjet të miratohen mbi bazën e analizës kushtetuese, standardeve ndërkombëtare dhe interesit afatgjatë publik.

Kështu, Kosova përjetoi një periudhë të ngjeshur, në të cilën emocionet historike, kalkulimet partiake dhe nevoja për stabilitet institucional u ndërthurën në mënyrë të ndërlikuar.

Por, pikërisht në këtë atmosferë, një ngjarje tragjike e zhvendosi vëmendjen e opinionit publik nga debatet politike drejt një çështjeje shumë më themelore: a është shteti në gjendje t’i mbrojë qytetarët e vet?

Vrasja e Arlinda Zekajt dhe kriza e besimit ndaj shtetit

Vrasja e Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës, përbën një nga ngjarjet më tronditëse dhe më shqetësuese të shoqërisë kosovare gjatë këtij viti.

Rëndësia e këtij rasti nuk qëndron vetëm te brutaliteti i krimit, por sidomos te rrethanat që i paraprinë vrasjes.

Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet shtetërore për shkak të dhunës dhe kërcënimeve në familje.

Dokumentet dhe informacionet e publikuara nga mediat tregojnë se ajo kishte raportuar dhunën fizike dhe psikologjike, kishte kërkuar mbrojtje ligjore dhe kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.

Sipas kronologjisë së publikuar nga Radio Evropa e Lirë, më 23 tetor një zyrtar policor kishte kërkuar nga eprorët masa shtesë për sigurinë e saj, përfshirë vizita të rregullta të patrullave policore dhe komunikim të vazhdueshëm me viktimën.

Megjithatë, më 25 tetor Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj!

Dyshimet e hetuesisë e lidhën vrasjen me kunatin e saj, i cili më pas u arrestua.

Këtu kemi të bëjmë me një tragjedi që tejkalon dimensionin e një krimi individual!

Ajo ngre çështjen e përgjegjësisë së zinxhirit institucional për mbrojtjen e një qytetareje, e cila kishte kërkuar ndihmë nga shteti.

Sipas gjetjeve paraprake të Inspektoratit Policor të Kosovës, urdhri mbrojtës i 7 shtatorit nuk ishte dokumentuar si i ekzekutuar, ndërsa urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë.

Gjithashtu, nuk ishte trajtuar siç duhej kërkesa e një zyrtari policor për masa shtesë të sigurisë.

Si rezultat, u rekomandua suspendimi i 11 zyrtarëve policorë.

Këto janë gjetje serioze, por duhet të dallohen konstatimet paraprake administrative dhe hetimore nga përcaktimi përfundimtar i përgjegjësisë penale individuale.

Kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë e dështimit institucional të evidentuar!

Përkundrazi, e bën edhe më të domosdoshme një hetim të pavarur dhe të plotë.

Në thelb, shteti nuk mund të pretendojë se ka përmbushur detyrimin e tij vetëm sepse ka ekzistuar një urdhër mbrojtës në letër.

Mbrojtja e qytetarit duhet të jetë reale, efektive dhe e verifikueshme!

Një urdhër gjykate që nuk zbatohet, një paralajmërim që nuk merret seriozisht dhe një kërkesë për mbrojtje që mbetet pa përgjigje e zbrazin shtetin juridik nga përmbajtja e tij praktike.

Kjo është arsyeja pse vrasja e Arlinda Zekajt shkaktoi një tronditje kaq të madhe shoqërore.

Qytetarët nuk e panë këtë vetëm si një krim të rëndë, por edhe si një dështim të mundshëm të sistemit që duhej ta mbronte atë.

Kur një qytetare kërkon mbrojtje nga shteti dhe përfundon e vrarë pasi institucionet janë paralajmëruar për rrezikun, kriza nuk është më vetëm kriminale.

Ajo është edhe institucionale, morale dhe politike!

Dorëheqjet e Gërvallës dhe Sveçlës: përgjegjësia politike nuk mund të zëvendësohet me mbrojtje partiake!

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, reagimi publik u përqendrua gjithnjë e më shumë në kërkesën për përgjegjësi politike të institucioneve përgjegjëse.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kjo kërkesë duhet analizuar përtej simpative dhe antipative partiake!

Në një demokraci funksionale, ministrat nuk janë thjesht përfaqësues politikë të partive që i kanë propozuar!

Ata janë bartës të përgjegjësisë institucionale për funksionimin e sektorëve që drejtojnë.

Ministri i Punëve të Brendshme ka përgjegjësi politike për funksionimin e sistemit policor dhe mekanizmave të sigurisë publike, ndërsa ministrja e Drejtësisë ka përgjegjësi politike për politikat dhe funksionimin e fushave që bien në kompetencat e ministrisë së saj.

Kjo nuk nënkupton se ministrat janë automatikisht përgjegjës penalisht për çdo krim apo lëshim të një zyrtari vartës.

Përgjegjësia penale është individuale dhe duhet të provohet nga organet kompetente.

Por përgjegjësia politike ka natyrë tjetër!

Ajo lidhet me detyrimin e drejtuesve për të dhënë llogari për funksionimin e institucioneve, për të identifikuar mangësitë sistemike, për të ndërmarrë masa korrigjuese dhe për të marrë përgjegjësinë kur sistemi që drejtojnë dështon në mënyrë të rëndë.

Për këtë arsye, refuzimi kategorik për të shqyrtuar kërkesat e protestuesve dhe për të marrë përgjegjësi politike mund të ketë pasoja të rënda.

Nëse ministrat e konsiderojnë çdo kërkesë për dorëheqje si sulm ndaj Qeverisë, ata rrezikojnë të shndërrojnë një çështje të mbrojtjes së jetës së qytetarëve në konflikt partiak.

Kjo do të ishte një gabim serioz politik dhe institucional.

Qeveria Kurti nuk mund të mjaftohet me deklarata solidariteti, premtime për hetime dhe masa të pjesshme administrative.

Ajo duhet të tregojë se është në gjendje të pranojë përgjegjësinë, të zbulojë të vërtetën dhe të ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e përsëritjes së rasteve të tilla.

Raporti i prezantuar nga Ministria e Drejtësisë më 31 tetor evidentoi mangësi serioze, por pranoi se dokumentacioni ishte ende i paplotë dhe se jo të gjitha institucionet kishin dhënë përgjigjet e kërkuara.

Ky fakt e bën edhe më të rëndësishëm vazhdimin e hetimit të pavarur.

Në këtë situatë, dorëheqja e ministrave mund të shërbejë si akt i përgjegjësisë politike dhe si hap drejt rikthimit të besimit publik, pa paragjykuar përgjegjësinë penale të personave konkretë.

Nuk duhet harruar se dorëheqja politike nuk është pranim automatik i fajësisë penale. Ajo është një instrument demokratik i llogaridhënies.

Nëse ministrat nuk pranojnë as ta shqyrtojnë këtë mundësi dhe qeveria vazhdon ta trajtojë protestën si problem të rendit publik, ekziston rreziku i zgjerimit të konfliktit.

Pakënaqësia mund të kalojë nga kërkesa për përgjegjësi individuale dhe institucionale në kundërshtim më të gjerë ndaj qeverisë.

Ky është pikërisht mekanizmi i radikalizimit të protestave që duhet parandaluar.

Rreziku i shpërthimit social edhe në Kosovë!

Në sociologjinë politike, protestat nuk radikalizohen vetëm për shkak të intensitetit të pakënaqësisë fillestare.

Një faktor vendimtar është mënyra se si pushteti reagon ndaj kërkesave të qytetarëve!

Nëse institucionet i dëgjojnë protestuesit, pranojnë përgjegjësinë dhe ndërmarrin masa konkrete, ekziston mundësia që konflikti të kanalizohet përmes mekanizmave demokratikë.

Por, nëse kërkesat shpërfillen, protestuesit etiketohen si të manipuluar politikisht dhe përgjegjësit institucionalë mbrohen në mënyrë të pakushtëzuar, atëherë krijohet një proces i rrezikshëm i përshkallëzimit.

Ky proces mund të përshkruhet në tri faza:

Faza e parë është humbja e besimit. Qytetarët fillojnë të dyshojnë se institucionet nuk kanë vullnetin ose aftësinë për t’i mbrojtur.

Faza e dytë është delegjitimimi i pushtetit. Pakënaqësia nuk drejtohet më vetëm ndaj një vendimi apo ministri, por ndaj mënyrës së përgjithshme të qeverisjes.

Faza e tretë është radikalizimi i kërkesave. Në këtë fazë, kërkesat fillestare për dorëheqje, hetim dhe përgjegjësi mund të zgjerohen në kërkesa për ndryshim të përgjithshëm politik dhe institucional.

Kjo nuk do të thotë se dhuna është e pashmangshme apo se protestuesit do të radikalizohen patjetër.

Përkundrazi, është një rrezik që mund të parandalohet nëpërmjet dialogut, përgjegjësisë dhe transparencës.

Përvoja e Shqipërisë duhet të shërbejë si paralajmërim për Kosovën.

Nëse një qeveri e trajton për një kohë të gjatë pakënaqësinë si një problem propagandistik, ajo mund të humbasë mundësinë për ta zgjidhur konfliktin në fazën e tij paqësore.

Këtu duhet theksuar se protestuesit kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e ministrave, të kritikojnë qeverinë dhe të kërkojnë hetim të plotë.

Por askush nuk ka të drejtë të shndërrojë protestën në dhunë ndaj personave, institucioneve apo pronës.

Edhe shteti ka detyrim të garantojë sigurinë e demonstruesve, të respektojë lirinë e tubimit dhe të përdorë forcën vetëm në mënyrë të ligjshme, të domosdoshme dhe proporcionale.

Prandaj, përgjegjësia për ruajtjen e paqes shoqërore është e dyanshme, por përgjegjësia e qeverisë është veçanërisht e madhe, sepse ajo disponon instrumentet institucionale për zgjidhjen e konfliktit.

Vota popullore dhe Iluzioni i pushtetit të pakufizuar

Një nga problemet më të rëndësishme të demokracive bashkëkohore është keqinterpretimi i rezultatit zgjedhor nga fituesit e zgjedhjeve.

Në vend që fitorja të kuptohet si mandat i kufizuar në kohë, i kushtëzuar nga Kushtetuta dhe ligjet, disa qeveri e interpretojnë atë si autorizim për të kontrolluar institucionet, për të dobësuar opozitën dhe për të shpërfillur kritikën qytetare.

Kjo është një formë e deformimit të demokracisë përfaqësuese.

Demokracia nuk përfundon ditën e zgjedhjeve!

Ajo vazhdon përmes kontrollit parlamentar, drejtësisë së pavarur, mediave të lira, shoqërisë civile dhe të drejtës së qytetarëve për të protestuar.

Në Ballkan, kjo problematikë ka një histori të veçantë!

Tradita e liderit dominues, personalizimi i pushtetit dhe identifikimi i interesit partiak me interesin kombëtar kanë krijuar pengesa serioze për zhvillimin e institucioneve demokratike.

Në disa raste, liderët politikë e konsiderojnë kritikën si tradhti, ndërsa kundërshtarin politik si armik!

Kjo kulturë politike është e papajtueshme me standardet euroatlantike të qeverisjes.

Shembulli i Serbisë dëshmon se edhe një sistem politik me përqendrim të madh të pushtetit mund të përballet me një mobilizim qytetar që e ndryshon raportin e forcave.

Shqipëria dëshmon se pakënaqësia mund të kalojë nga kërkesat sektoriale në kundërshtim të përgjithshëm politik.

Kosova, ndërkaq, po përballet me sfidën që ta dëshmojë se institucionet e saj janë më të rëndësishme sesa interesat e përkohshme të partive dhe ministrave.

Këto janë tri përvoja të ndryshme, por që përmbajnë një mësim të përbashkët: pushteti që nuk pranon kontrollin demokratik e dobëson vetë legjitimitetin e tij.

Përfundim

Zhvillimet e vjeshtës së vitit 2026 tregojnë se demokracitë evropiane dhe ato të Ballkanit po hyjnë në një fazë të re të marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve.

Humbja e listës së Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet serbe, protestat në Shqipëri, Francë, Spanjë dhe Portugali, si dhe mobilizimi qytetar në Kosovë, nuk kanë të njëjtat shkaqe dhe as të njëjtat objektiva.

Por ato shprehin një shqetësim të përbashkët: qytetarët nuk dëshirojnë më të jenë spektatorë të politikës dhe as të pranojnë që vota e tyre të përdoret si justifikim për arrogancë, korrupsion dhe mungesë llogaridhënieje.

Në Kosovë, vrasja e Arlinda Zekajt duhet të shndërrohet në një pikë kthese për reformimin e mekanizmave të mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje dhe për përgjegjësinë e institucioneve.

Nuk mjafton të suspendohen disa zyrtarë, të krijohen komisione hetimore apo të publikohen raporte të pjesshme.

Duhet të përcaktohet se kush ka përgjegjësi për moszbatimin e urdhrave mbrojtës, pse paralajmërimet nuk u trajtuan me seriozitetin e duhur, cilat mekanizma dështuan dhe çfarë masash duhet të ndërmerren për të parandaluar tragjedi të ngjashme.

Po aq e rëndësishme është që përgjegjësia politike të mos ngatërrohet me përgjegjësinë penale dhe që asnjë zyrtar të mos mbrohet nga hetimi për shkak të pozitës së tij politike.

Ministrat Gërvalla dhe Sveçla, ashtu si edhe kryeministri Kurti, duhet ta kuptojnë se besimi qytetar nuk ruhet duke refuzuar kritikën, por duke dëshmuar përgjegjësi!

Dorëheqja politike, kur ekzistojnë arsye serioze institucionale dhe shoqërore, nuk është domosdoshmërisht shenjë dobësie. Në shumë demokraci, ajo është dëshmi e kulturës së përgjegjësisë.

Në të kundërtën, këmbëngulja për të mbetur në detyrë, pavarësisht humbjes së besimit publik, mund ta shndërrojë një krizë të menaxhueshme institucionale në krizë të përgjithshme politike!

Prandaj, qeveria e Kosovës duhet ta zgjedhë rrugën e dialogut, transparencës dhe përgjegjësisë, përpara se pakënaqësia të marrë përmasa më të gjera dhe të vështira për t’u menaxhuar.

Në të njëjtën kohë, opozita dhe organizatorët e protestave duhet të ruajnë karakterin demokratik, paqësor dhe qytetar të mobilizimit, duke mos lejuar instrumentalizimin partiak të tragjedisë së një gruaje që kërkoi mbrojtje nga shteti.

Në këtë kontekst, duhet të kuptojmë se stabiliteti politik nuk është mungesë protestash, ndërsa qetësia e imponuar nuk është domosdoshmërisht paqe shoqërore.

Paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe besimin e qytetarëve në institucionet e tyre.

Evropa dhe Ballkani nuk kanë nevojë për liderë që e kuptojnë zemërimin e qytetarëve vetëm kur rrugët mbushen me protestues, kur institucionet rrethohen apo kur pakënaqësia shpërthen në dhunë.

Por kanë nevojë për qeveri që dëgjojnë përpara se të jetë tepër vonë, për institucione që funksionojnë edhe kur nuk ka kamera dhe për politikanë që e kuptojnë se pushteti është përgjegjësi publike, jo privilegj personal.

Në fund të fundit, mesazhi i kësaj vjeshte është i qartë: vota popullore mund ta sjellë një qeveri në pushtet, por vetëm qeverisja e përgjegjshme mund ta mbajë besimin e qytetarëve.

Kur pushteti harron se nga kush realisht buron legjitimiteti i tij, shoqëria ia kujton këtë përmes votës, protestës dhe, në fund, ndryshimit politik!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat