Organizatorët olimpikë nderojnë Alberto Tombën

Skijim

Organizatorët olimpikë nderojnë Alberto Tombën

Nga: K.G. Më: 4 shkurt 2026 Në ora: 16:52
Alberto Tomba

Sipas gazetës italiane “Gazzetta dello Sport”, ish-skiatorët legjendarë Alberto Tomba dhe Deborah Compagnoni janë përzgjedhur për të ndezur flakën olimpike në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina.

Alberto Tomba pritet të ketë nderin të ndezë flakën olimpike në Arco della Pace në Milano gjatë ceremonisë hapëse që do të mbahet të premten në stadiumin San Siro.

Ndërkohë, Deborah Compagnoni do të ndezë simbolikisht një tjetër pishtar olimpik në sheshin Dibona në Cortina d’Ampezzo, në zemër të Dolomiteve.

Komiteti Olimpik Italian (CONI) nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar zyrtarisht raportimin e ‘Gazzetta dello Sport’, duke bërë të ditur se vendimi përfundimtar do të merret në momentet e fundit.

Tomba, tashmë 59 vjeç, dhe Compagnoni, 55 vjeçe, janë tre herë kampionë olimpikë dhe konsiderohen ndër sportistët më të dashur italianë të brezit të tyre.

Alberto Tomba fitoi dy medalje të arta olimpike në Calgary 1988 dhe një tjetër në Albertville 1992.

Ndërsa Deborah Compagnoni e fitoi medaljen e saj të parë të artë olimpike në Albertville 1992, për ta vazhduar me triumfe në Lillehammer 1994 dhe Nagano 1998.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat