Vonn: Askush nuk besonte se do të isha këtu

Skijim

Vonn: Askush nuk besonte se do të isha këtu

Nga: K.G. Më: 7 shkurt 2026 Në ora: 14:23
Lindsey Vonn

Kampionia olimpike e vitit 2010 në lëshim, Lindsey Vonn, e ka përfunduar me sukses stërvitjen zyrtare për disiplinën e lëshimit.

Skiatorja amerikane zhvilloi të premten stërvitjen e saj të parë zyrtare në lëshim në Cortina d’Ampezzo pa probleme të mëdha. Vonn garoi me një ortozë në gjurin e majtë, pas këputjes së ligamenteve, raportojnë agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, përfshirë AFP-në.

Paraqitja pozitive në stërvitje ka ringjallur shpresat se 41-vjeçarja mund të luftojë edhe për një medalje olimpike në lëshimin e së dielës.

“Kjo do të më bënte më të lumturën në botë. Askush nuk besonte se do të isha këtu, por ja ku jam. Nuk do ta humbas këtë mundësi”, shkroi Vonn në Instagram para stërvitjes.

Kampionia olimpike nga Vancouveri (2010) arriti kohën e 11-të në provë. Këtë sezon ajo ka fituar dy gara në Kupën e Botës në lëshim, por një rënie në garën e fundit në Crans-Montana i zbehu ndjeshëm gjasat për medalje olimpike në këtë fazë të vonë të karrierës.

Vonn ka në koleksionin e saj plot 84 fitore në garat e Kupës së Botës.

Përveç medaljes së artë olimpike në lëshim në Vancouver, ajo fitoi edhe bronzin në supersllallom në të njëjtat Lojëra Olimpike, si dhe një tjetër medalje bronzi në lëshim në Pyeongchang 2018. Në Cortina d’Ampezzo ajo ka ngjitur podiumin plot 20 herë, prej të cilave 12 fitore, gjashtë në disiplinën e lëshimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat