Reshjet e dendura të borës dhe era e fortë pamundësojnë zhvillimin e garës në Copper Mountain – të dielën në program është sllallomi i madh
Gara e parë e supersllallomit të madh për meshkuj në kuadër të Kupës së Botës në skijim alpin, e planifikuar të zhvillohej në Copper Mountain të SHBA-së, është anuluar për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe erërave të forta.
Organizatorët fillimisht e shtynë nisjen e garës, me shpresën se kushtet atmosferike do të përmirësoheshin, por situata në pistë mbeti e papërshtatshme për zhvillimin e saj.
Sipas mediumit slloven, “Sport”, kështu, pa sukses ka nisur pjesa amerikane e garave të disiplinave të shpejta në konkurrencën e meshkujve. Ndërkohë, për të dielën në Copper Mountain është paraparë gara e sllallomit të madh.
Ky është anulimi i dytë i garave në edicionin e sivjetmë të Kupës së Botës. Më herët, për shkak të mungesës së borës, ishin anuluar edhe dy garat e sllallomit të madh për femra në Tremblant të Kanadasë, të planifikuara për datat 5 dhe 6 dhjetor.