Kupa e Botës në Zvicër

Skijim

Kupa e Botës në Zvicër

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 11:49
Pr pritet të jetë në qendër të vëmendjes nga këndvështrimi zviceran: Nadja Kälin (në mes), e rrethuar nga motra e saj Marina (majtas) dhe Alina Meier.

Dy gara të Kupës së Botës në Zvicër, Tour de Ski dhe Kampionati Botëror në Falun përbëjnë ngjarjet kryesore të sezonit 2026/27.

Sezoni i ri i skijimit ndër-vendor ka nisur në Kuusamo të Finlandës, me garat 10 kilometra në stilin klasik. Fillimi nuk ishte aspak i kënaqshëm për përfaqësuesit e Zvicrës.

Sipas SRF, në garën e femrave, suedezet zunë tri vendet e para, ndërsa te meshkujt norvegjezët realizuan një triumf të gjashtëfishtë. Në të dyja garat, asnjë përfaqësues i Swiss-Ski nuk arriti të renditej në mesin e 20 më të mirëve.

KUr do të zhvillohen garat e Kupës së Botës në Zvicër?

Zvicra do të jetë nikoqire e dy etapave të Kupës së Botës gjatë këtij sezoni.

Nga 11 deri më 13 dhjetor, elita e skijimit ndër-vendor do të garojë në Davos. Në stadiumin Bünda janë paraparë tri gara: sprinti ekipor, sprinti individual dhe gara me nisje masive në formatin e baterive, në distancën prej pesë kilometrash.

Nga 22 deri më 24 janar 2027, Kupa e Botës do të zhvendoset në rajonin e Engadinit, përkatësisht në Silvaplana-Surlej.

Atje do të zhvillohen gara e stafetës së përzier, sprinti individual dhe gara me nisje masive në distancën prej 20 kilometrash.

Programi i garave në kuusamo

Garat e Kupës së Botës në Kuusamo mund të ndiqen drejtpërdrejt në SRF zwei.

E diel, 29 nëntor:
09:55 – 20 kilometra me nisje masive, meshkujt.
11:45 – 20 kilometra me nisje masive, femrat.
Çfarë të rejash ka në Tour de ski?
Tour de Ski do të sjellë një risi të rëndësishme këtë sezon. Për herë të parë, gara do të nisë në Francë dhe atë më 1 janar, në ditën e parë të Vitit të Ri.

Pas garave në Davos, sportistët do të kenë një pushim prej dy javësh e gjysmë gjatë festave të fundvitit.
Tri etapat e para do të zhvillohen në Les Rousses të Francës, nga 1 deri më 3 janar. Më pas, gara do të vazhdojë në Oberstdorf të Gjermanisë, ku janë paraparë edhe dy etapa.

Tri etapat përfundimtare do të zhvillohen në Val di Fiemme të Italisë, ku do të mbahet edhe ngjitja tradicionale në Alpe Cermis, që shënon përfundimin e Tour de Ski.

Në përgjithësi, nga 1 deri më 10 janar, garuesit do të përballen me tetë etapa në tri shtete të ndryshme.

A ka Zvicra mundësi për medalje në Kampionatin Botëror në Falun?

Kampionati Botëror në skijimin nordik do të mbahet nga 24 shkurti deri më 7 mars 2027, në Falun të Suedisë.
Përfaqësuesit zviceranë kanë arsye të besojnë në mundësitë e tyre për medalje, veçanërisht pas rezultateve të arritura në Lojërat Olimpike të Milano-Cortinës 2026.

Nadja Kälin është njëra prej shpresave kryesore të Zvicrës. Ajo fitoi medaljen e bronztë olimpike në garën 50 kilometra dhe medaljen e argjendtë në sprintin ekipor, së bashku me Nadine Fähndrich.

Pas tërheqjes së Fähndrichit nga sporti, Kälin do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në ekipin zviceran. Megjithatë, gjetja e një partnereje të përshtatshme për sprintin ekipor mbetet një sfidë.

Te meshkujt, Valerio Grond dhe Janik Riebli mund të luftojnë për medalje në sprintin individual dhe atë ekipor, nëse arrijnë të paraqiten në nivelin e tyre më të mirë. Potenciali i tyre është veçanërisht i madh në garat me teknikën e patinazhit.

Ndërkohë, mundësitë e ekipit zviceran në stafetë janë dëshmuar tashmë, pas fitimit të medaljes së argjendtë në Kampionatin Botëror në Trondheim në vitin 2025.

Cili është qëndrimi i FIS-it ndaj sportistëve rusë?

Federata Ndërkombëtare e Skijimit dhe Snowboardit (FIS) ka lejuar sportistët rusë dhe bjellorusë të marrin pjesë në gara me status neutral.

Në shtator, bordi drejtues i FIS-it përcaktoi kushtet për pjesëmarrjen e tyre gjatë këtij sezoni.

Sportistët duhet të nënshkruajnë deklaratën e neutralitetit dhe të respektojnë rregullat kundër dopingut. Pjesëmarrja u lejohet vetëm garuesve individualë.

Megjithatë, lejimi nga ana sportive nuk nënkupton automatikisht se ata do të kenë të drejtë të hyjnë në shtetet ku zhvillohen garat. Për këtë vendosin autoritetet e vendeve organizatore.

Kjo çështje po shkakton mospajtime, veçanërisht në shtetet nordike që organizojnë etapa të Kupës së Botës dhe në prag të Kampionatit Botëror.

Ku zbatohen kufizimet ndaj sportistëve rusë?

Sipas raportimit të SRF-së të datës 24 nëntor 2026, disa shtete evropiane vazhdojnë të zbatojnë kufizime ndaj sportistëve rusë.

Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe Polonia ua refuzojnë vizat sportistëve rusë.

Estonia ua ndalon pjesëmarrjen në garat sportive në territorin e saj, ndërsa Letonia nuk lejon organizimin e ngjarjeve sportive ku marrin pjesë rusët.

Çekia, nga ana tjetër, prej kohësh nuk u lëshon viza qytetarëve rusë. Megjithatë, sipas autoriteteve çeke, ajo nuk mund ta pengojë hyrjen e tyre në vend nëse udhëtojnë përmes një shteti tjetër anëtar të Bashkimit Evropian.

Kështu, pavarësisht vendimit të FIS-it për lejimin e garuesve neutralë, pjesëmarrja e tyre në të gjitha etapat e sezonit mbetet e kushtëzuar edhe nga rregullat e shteteve organizatore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat