Rritet kundërshtimi, botërori i hokejit në rrezik

Sporti

Rritet kundërshtimi, botërori i hokejit në rrezik

Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 17:29
Foto ilustrim nga hokeji

Kampionati Botëror i hokejit 2027, që do të mbahet në Gjermani, rrezikon të mos zhvillohet sipas planit. Pas lejimit të Rusisë në garë, Finlanda synon të organizojë një bojkot, ndërsa tashmë duket se ka gjetur edhe aleatët e parë.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për rikthimin e përfaqësueseve ruse të hokejit në akull në garat ndërkombëtare ka shkaktuar një valë reagimesh për bojkot.

Disa federata kombëtare kanë bërë të ditur se nuk dëshirojnë të luajnë kundër Rusisë në Kampionatin Botëror për meshkuj, që do të mbahet në Gjermani në vitin 2027.

Nismës së Finlandës iu bashkuan të martën edhe Danimarka, Suedia, Norvegjia dhe Letonia.

Përderisa lufta në Ukrainë vazhdon, Rusia duhet të mbetet e përjashtuar nga të gjitha kampionatet ndërkombëtare», thuhet në deklaratën e federatës norvegjeze.

Në rastin e Letonisë, përfaqësueseve kombëtare u ndalohet me ligj të përballen me ekipet ruse.
Sponsorët po tërhiqen

Të hënën, prodhuesi suedez i mobilieve për zyra AJ Products u tërhoq nga pozita e sponsorit të turneut. Një ditë më vonë, edhe prodhuesi finlandez i gomave Nokian Tyres kërcënoi me tërheqje.

Ndërkohë, një kompani çeke e basteve sportive, e cila është gjithashtu partnere e Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull (IIHF), nuk dëshiron të shfaqë reklama gjatë ndeshjeve të Rusisë.

Çfarë do të bëjë Gjermania?

Gjermania, si vend organizator, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të heqë dorë nga organizimi i Kampionatit Botëror. Drejtori ekzekutiv i Federatës Gjermane të Hokejit në Akull (DEB), Frank Lutz, pritet që gjatë kësaj jave të diskutojë çështjen në Berlin me përfaqësues të politikës.

Megjithatë, qeveria gjermane ka parasysh edhe kandidaturën për organizimin e Lojërave Olimpike të viteve 2036, 2040 dhe 2044.

Nëse Gjermania del kundër Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i cili po angazhohet për rikthimin e plotë të Rusisë në sportin botëror, mundësitë e saj për të organizuar Lojërat Olimpike mund të ndikohen ndjeshëm.
Javën e kaluar, CAS-i hapi rrugën për rikthimin e rusëve në skenën e madhe të hokejit në akull, pavarësisht kundërshtimit të IIHF-së.

Federata Zvicerane e Hokejit në Akull (Swiss Ice Hockey) deri më tani nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë lidhur me vendimin e CAS-it. Të premten e kaluar, ajo bëri të ditur se ishte vënë në dijeni të vendimit dhe se po priste qëndrimin e mëtejshëm të IIHF-së.

Në rrezik edhe kampionatet botërore për të rinj?

Përveç Kampionatit Botëror për të rritur, kundërshtimi i vendeve pjesëmarrëse mund të ndikojë edhe në organizimin e garave të tjera.

Kanadaja, nikoqire e Kampionatit Botëror U20, që do të zhvillohet së shpejti, synon të mbajë në fuqi kufizimet ekzistuese të hyrjes në vend për sportistët rusë.

Qyteti finlandez Turku njoftoi të hënën se do të tërhiqet nga organizimi i Kampionatit Botëror U20 për sezonin 2027/28, nëse Rusia merr pjesë në këtë garë.

Ndërkohë, federata çeke, e cila organizon Kampionatin Botëror U18 për femra, synon të diskutojë me qeverinë mundësinë e refuzimit të vizave për përfaqësuesit rusë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat