Reja i “zemëruar”, grupi i Shqipërisë i vështirë

Futboll

Reja i “zemëruar”, grupi i Shqipërisë i vështirë

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 22:40
Edi Reja

Shqipëria ka mësuar ditën e sotme kundërshtarët për eliminatoret e “Katar 2022”, teksa ndodhemi në grupin I, me kombëtaren e Anglisë, Polonisë, Hungarisë, Andorrës dhe San Marino.

Për shortin ka folur edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja i cili u shpreh se është grupi më i vështirë i mundshëm, teksa thotë se do të donte të ishte në një grup me Kroacinë dhe Danimarkën, pasi aty do të kishim më shumë mundësi për tu kualifikuar. Gjithashtu tha se Shqipëria do të provojë shanset e saj, duke thënë më tej se ka peng ndeshjen me Lituaninë në Ligën e Kombeve, pasi në rast fitoreje do ishim më lart në renditje dhe mund të kishim më shumë mundësi kualifikimi për në Botëror, shkruan “Panoramasport”.

Grupi– Ky është grupi më i keq që mund të na binte. Ai i Kroacisë ishte më i përshtatshëm, ndërsa ai i Danimarkës do të ishte ideali. Është në grup i vështirë, thuajse i pamundur, por ne nuk dorëzohemi. Do luajmë mundësitë tona. Me Hungarinë është e pamundur që të zhvillojmë miqësore dhe do gjejmë një zgjidhje tjetër për qershorin. Në Ligën e Kombeve kemi bërë mirë, por duhet të përmirësohemi. Për Anglinë nuk ia vlen të flasim se e njohim. Ne do luajmë mundësitë me Poloninë dhe Hungarinë. Shpresoj që të tregojmë rritje në ndeshjet tona. Por shpresoj shumë që kur të fillojmë këto ndeshje, pandemia mund të jetë larguar dhe ne të kemi tifozët tanë, pasi mund të na japin një ndihmë të madhe.

Objektivi– Ne nuk është se nuk do provojmë shanset tona. Ne do tentojmë gjithçka, por është e vështirë. Nëse do renditemi të tretët, do tregojë se ne kemi rritje. Këto janë ndeshje me rivalë që do na falin eksperiencë. Nëse nuk arrijmë Botërorin, në do bëjmë gjithçka të kemi një skuadër gati për Europianin e 2024. Sot votova si lojtarin më të mirë Levandovskin, uroj të mos jetë shumë në formë përball nesh.

Kualifikimi– Në futboll nuk ka asnjë rezultat të sigurt. Askush nuk niset i mposhtur. Me Anglinë do provojmë shanset tona. Do luftojmë deri në fund për të marrë maksimumin. Do ketë spektakël me Anglinë. Shpresoj që kur të vijnë në Tiranë të kemi tifozët, pasi me ta ne karikohemi dhe bëjmë më të mirën.

Lojtarët– Pres që lojtarët të rriten gjatë kësaj periudhe. Ne kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe kemi treguar rritje. Në përjashtim nga ajo me Lituaninë kemi bërë shumë mirë. Duhet të jemi të parashikueshëm, pasi kjo është e nevojshme në të tilla ndeshje.

Grupet– Unë do doja të luaja me kundërshtarë si Kroacia dhe Danimarka, pasi mendoj se do kishim më shumë mundësi. Nuk do e doja Poloninë, nëse do kishim një tjetër në vend të tyre do kishim mundësi. Pasi edhe me Hungarinë kemi shanset të bëjmë mirë. Nga të gjitha grupet, ai i joni mendoj se është më i miri nga ata me 6 skuadra. Ne shanset i kemi aty, është një grup shumë i fortë, por jam i bindur që do bëjmë ndeshej të mira. Unë kam merak vetëm për gjendjen e lojtarëve kur të vijnë në Kombëtare. Nëse janë në gjendje të mirë, jam i bindur që do bëjmë ndeshje të shkëlqyera. Nëse i hedhim një sy rezultateve në Ligën e Kombeve, pengu është për ndeshjen me Lituaninë. Ne do kishim një renditje më të mirë dhe do të kishim më shumë mundësi për kualifikimin në Botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat