Anglia në Tiranë, leje speciale nga ministria

Futboll

Anglia në Tiranë, leje speciale nga ministria

Më: 2 mars 2021 Në ora: 14:57
Anglia në Tiranë, leje speciale nga ministria

Shqipëria do të presë Anglinë më 28 mars për ndeshjen e dytë të vlefshme për kualifikueset e “Katar 2022”.

Mirëpo, duke qenë se në Britaninë e Madhe po qarkullon një tip i ri i COVID-it, me rrezikshmëri dhe përhapje edhe më të lartë sesa varianti i parë, atëherë Anglia është izoluar dhe linjat e fluturimit me të janë thuajse të bllokuara me të gjithë Europën. Mes tyre, edhe Shqipëria e ka të ndaluar komunikimin me linja ajrore me Anglinë.

ANGLIA NË TIRANË – Mirëpo, Anglia do të mbërrijë në Tiranë për të zhvilluar ndeshjen e datës 28 mars. “Panorama Sport” ka mësuar se për këtë, në zbatim të protokolleve dhe rregullores së UEFA-s, FSHF ka ndërmjetësuar me shtetin shqiptar, që delegacioni britanik të mos ketë asnjë problem për udhëtimin drejt Tiranës.

UEFA u kërkon shteteve europiane lejekalime dhe korridore kalimi të skuadrave në shtete të ndryshme, pa bërë karantinë në vendet ku shkojnë për të luajtur dhe për këtë, sanksionon ekipet që të bëjnë teste COVID-i disa herë deri ditën e ndeshjes.

GJOBA – Referuar masave në vendin tonë, çdo individ që vjen në Shqipëri, duhet të kryejë një vetëkarantinim dyjavor ose në të kundërt të paguajë një gjobë prej 700 mijë lekësh (të vjetër). Po Anglia? Në rastin normal, një delegacion nga 40-50 vetë do të duhet të paguante gjobën nga 28 milionë deri në 35 milionë lekë (të vjetër).

Në këtë rast, dakordësia e dhënë nga qeveria, është në sinkron me atë që po e bëjnë shumë shtete europiane, duke mos penguar federatën respektive të futbollit në organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe duke pranuar respektimin e protokollit strikt nga UEFA, për disa kontrolle me tampon të delegacionit zyrtar të një ekipi kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat