Martini: Arbitri gaboi shumë

Futboll

Martini: Arbitri gaboi shumë

Më: 7 mars 2021 Në ora: 16:06
Martini: Arbitri gaboi shumë

Teuta ngec sërish, këtë herë në transfertën ndaj Bylisit, ku nuk shkoi përtej barazimit 1-1 dhe nuk arriti të marrë kreun e renditjes, qoftë edhe përkohësisht.

Trajneri Edi Martini u shfaq mjaft i zhgënjyer me arbitrimin e gjyqtarit Bastari, teksa evidentoi edhe edhe shumë raste të shpërdoruara nga të tijtë.

Çfarë nuk shkoi sot me Teutën, që nuk arriti të fitojë?
Nuk shkoi rezultati, pasi humbëm shumë raste dhe nuk arritëm të gjejmë golin e fitores. Ndoshta pas asaj penalltie të parë të dhënë për ne, arbitri humbi kontrollin e lojës dhe vërshëlleu shumë faulle, duke ulur ritmin e ndeshjes.

Ndodh shpesh që Teuta humb përqendrimin pasi kalon në avantazh… Duket sikur luan më mirë kur është në barazim apo në humbje…
Unë nuk e di mirë si është rregullorja, por Aleksi u përplas me arbitrin në mesin e fushës në rastin e golit të Bylisit dhe mendoj se duhej të ndalte lojën. Na kushtoi edhe nervozizmi në minutat e fundit, kur nuk po gjenim dot golin e fitores.

Pse është kaq nervoze Teuta?
Nervozizmi në këto fusha është i pranueshëm, pasi ishte një ndeshje për t’u fituar. Këtu luhet ashpër dhe sigurisht që ne na duhej fitorja, ndaj kjo ndikon jo pak në ruajtjen e qetësisë.

Sa i kënaqur jeni me ndeshjen e Plakut?
Bëri shumë mirë për aq sa luajti, ndonëse nuk ka kondicionin e duhur fizik. Humbi një rast shumë të mirë, që me eksperiencën që ka duhej ta shënonte, por futbolli i ka këto.

Mos ndoshta duhej të ishit më të vëmendshëm në momentin e golit të Bylisit?
Është një gol që do ta analizojmë me vëmendje, por arbitri duhej të kishte ndalur lojën.

A ishte ky një hap fals për Teutën?
Duhej të kishim fituar për të marrë vendin e parë, por fusha e Ballshit është shumë e vështirë dhe shpresoj që të jetë për të gjithë kështu. Megjithatë ne jemi ende në garë për titullin dhe do të bëjmë punën tonë deri në fund. Sot duhej të kishim shënuar një gol më shumë, pasi krijuam shumë raste, por nuk e zgjidhëm dot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat