Kursi i trajnerëve të përgatitjes atletike, mes lektorëve edhe eksperti i njohur në Itali

Futboll

Kursi i trajnerëve të përgatitjes atletike, mes lektorëve edhe eksperti i njohur në Itali

Më: 16 mars 2021 Në ora: 23:04
Kursi i trajnerëve të përgatitjes atletike, mes lektorëve edhe eksperti i njohur në Itali

Një tjetër figurë e rëndësishme e futbollit do të jetë pjesë e lektorëve në kursin e përgatitësve atletikë që organizohet nga FSHF në fund të muajit prill. Bëhet fjalë për Davide Pisoni, trajneri i përgatitjes atletike, profesionist i njohur në Itali me mbi 15 vite eksperiencë në këtë fushë.

I diplomuar në “Institutin Superior të Edukimit Fizik“ në Milano, Davide është specializuar kryesisht në rikuperimin funksional dhe rehabilitimin e sportistëve pas dëmtimeve. Ai ka punuar si lektor në sektorin teknik të Federatës Italiane të Futbollit në Firenze dhe universitetin “Cattolica del Sacro Cuore“ në Milano. Gjithashtu, ai është pjesë edhe e “Isokinetic Milano”, një nga qendrat më të mira mjekësore në Itali e në Europë, ku merret me punë kërkimore dhe shkencore.

Përgatitja e thellë teknike e ka shtyrë të bëjë një numër të konsiderueshëm artikujsh profesionale në libra e gazeta sportive, duke publikuar shumë studime që lidhen me përgatitjen atletike të sportistëve. Në nivelin akademik, Pisoni është një emër mjaft i njohur në arenën ndërkombëtare dhe një profesor i përgatitje atletike.

Bashkë me Roberto Sassi-n, ish-trajner i përgatitjes atletike të Juventusit, Chelsea-t e shumë klubeve të njohura europiane, vijnë për të ofruar njohuritë dhe eksperiencën e tyre për pjesëmarrësit në kursin e organizuar nga FSHF përmes platformave online.

Ashtu si herën e kaluar, kursi drejtohet nga stafi i përgatitësit atletikë në Sektorin e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti, Iris Selimi, por edhe ekspertë të fushës nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Kursi, që do të nisë më datë 27 prill 2021 dhe do të zgjasë një muaj, do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së.

Bëhet fjalë për një mundësi te shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat