Conte “driblon” sërish titullin: Nuk kemi bërë asgjë akoma…

Futboll

Conte “driblon” sërish titullin: Nuk kemi bërë asgjë akoma…

Më: 11 prill 2021 Në ora: 06:41
Antonio Conte

“Titulli? Unë shikoj të tashmen si gjithmonë, duke u përpjekur të bëj diçka të jashtëzakonshme në Itali, pasi vetëm një ekip ka qenë protagonist në nëntë vitet e fundit”. Këto janë fjalët e Antonio Conte në një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Cagliari. Ka shumë pyetje në lidhje me vendin e parë, me fitimin e titullit që po afrohet gjithnjë e më shumë, por trajneri zikaltër iu bën thirrje të gjithëve që të qetësohen:

“Ne nuk kemi bërë asgjë akoma. Ne kemi rivendosur besueshmërinë e Interit si në Itali, ashtu edhe në Europë. Kaq për momentin. Mbetet edhe hapi i fundit, që është më i rëndësishmi, por ende nuk kemi bërë asgjë. Ndoshta do të flas më vonë, sepse i njohim shumë mirë edhe zhgënjimet. Duhet të shfrytëzojmë të tashmen dhe pastaj, përfundimisht, në të ardhmen, të flasim për diçka të jashtëzakonshme që është bërë. Nuk kam proklamime, sepse nuk jam mësuar t’i bëj ato. Tani le të heshtim dhe të pedalojmë…

Debati i lindur nga fraza ime mbi estetikën? Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe vlerësim asaj që po bëjnë djemtë, të mos mendojmë nëse duam të fitojmë Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm”. Për çështjen e rotacionit: “Nuk mendoj se është çështja e pushimit ose jo, për ne është ndeshja e tretë brenda një jave dhe do të përpiqem të bëj zgjedhjet më të mira, për të hedhur një ekip konkurrues në fushë, që të fitojë tri pikët. Vijmë nga dy ndeshje të luftuara fort kundër Bologna dhe Sassuolo, por jemi të trajnuar mirë”.

Pastaj, disa fjalë për përballjen me Radja Nainggolan: “E falënderoj për kohën që ishte me ne, pastaj u bënë zgjedhje të tjera. Duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me Radja, pasi kush luan ndaj ish-ekipit kërkon të japë diçka më shumë”. Një vlerësim për kundërshtarin e radhës: “Duke parë skuadrën, renditja e Cagliari është befasuese, kështu që presim një ndeshje të vështirë. Kundërshtari dëshiron të marrë pikë për të siguruar mbijetesën, sepse tani ndodhet në një pozicion të rrezikshëm”.

Në fund u ndal te sfidat që ka përjetuar, që kur u bashkua me Interin: “Ardhja këtu ishte zgjedhja më e vështirë që mund të kisha bërë, nga të gjitha pikëpamjet. Sidoqoftë, unë nuk jam një person që jeton me të kaluarën. E kam kokën të fortë dhe shikoj përpara. Jam gjithashtu i gatshëm të shemb muret me kokën time”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat