“Aventurë, rrugë pa krye”; Duka përshëndet “shpartallimin” e Superligës

Futboll

“Aventurë, rrugë pa krye”; Duka përshëndet “shpartallimin” e Superligës

Më: 21 prill 2021 Në ora: 08:50
Armand Duka

Duket se ka festë në UEFA, ngaqë nisma e 12 klubeve për të formuar Superligën po dështon. Tërheqja e klubeve angleze ka lumturuar edhe Armand Dukën, presidentin e FSHF-së dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të qeverisë europiane të futbollit. Përmes rrjeteve sociale, ai e ka konsideruar “Super Game over” këtë iniciativë:

“Nisma e nxituar e disa klubeve europiane për krijimin e të ashtuquajturës Superligë dështoi. Përshëndes fort rikthimin në sensin e arsyes të klubeve angleze, të cilat morën vendimin për t’u tërhequr nga kjo aventurë dhe për t’u ribashkuar me familjen tonë, UEFA-n, një reflektim i menjëhershëm për të mos vijuar me rrugëtimin pa krye. 

Falenderime për të gjithë komunitetin e futbollit, i cili u bashkua në unitet e solidaritet unik për të mbrojtur vlerat e vërteta të trashëgimisë sonë më të çmuar, futbollit, lojës më të bukur në botë.

Falenderime të veçanta e mirënjohje për Presidentin Ceferin, UEFA-n, FIFA-n, konfederatat simotra, Federatat Kombëtare, qeveritë e vendeve përkatëse, Ligat Profesioniste, lojtarët, median dhe veçanërisht tifozët pasionantë anembanë botës për një mbështetje të pakrahasueshme dhe për shpirtin e solidaritetit të treguar. Jam i bindur se, si në çdo moment të vështirë që kemi hasur, edhe nga kjo sfidë futbolli doli edhe më i fortë. Së bashku jemi më të fortë!”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat