“Hazard s’është lojtar për Realin, te Barça do të ishte bërë më i miri në botë”

Futboll

“Hazard s’është lojtar për Realin, te Barça do të ishte bërë më i miri në botë”

Më: 27 prill 2021 Në ora: 16:17
Eden Hazard

Ish-agjenti i futbollistit të Real Madridit, Eden Hazard, ka analizuar situatën e yllit belg në gazetën “La Dernière Heure”. John Bico e përfaqësoi atë deri në vitin 2013, kur po luante sezonin e parë me Chelsea.

Mbërritja e tij te Real Madridi, sipas Bico ishte e nxituar, madje edhe më shumë pas largimit të Cristiano Ronaldos: “Ishte një gabim shkuarja te Reali në atë kohë. Ishte një zgjedhje zemre, por pa ndonjë arsye të qartë logjike sportive. Ronaldo u largua një vit më parë. Të shkosh pas tij te Real Madridi është si të ngjitesh në Himalaje me duart zhveshur (pa dorashka). Unë do ta shkurajoja atë lëvizje, duke i thënë të shkonte në Madrid një vit më parë”.

Nga ana tjetër, Bico beson se kërkesat, veçanërisht fizike, në ekipin e bardhë janë shumë të larta, kështu që ai do ta dekurajonte nënshkrimin e belgut me këtë klub: “Njerëzit nuk e kuptojnë dhe harrojnë përmasat e Realit, që ka një lojë me shumë kërkesa fizike për sa i përket ritmit dhe intensitetit. Talentë si James nuk kanë ditur si të përshtaten aty. Në këtë pikë, Eden nuk është lojtar për Real Madridin. Është Barça, skuadra ku duhej të shkonte, që i përshtatej më së miri, sepse atje topi vrapon më shpejt se lojtarët”.

Bico vazhdoi duke këmbëngulur se Barça do të kishte qenë një destinacion më i mirë për Hazard, për arsye të ndryshme: “Te katalanasit do të kishte më shumë liri në fushë, do ta kishte topin vazhdimisht në këmbët e tij. Atje do të ishte bërë lojtari më i mirë në botë”.

Lidhur me stilin e lojës së Barçës dhe Real Madridit, ai theksoi nxitimin e lojtarit për të lënë Chelsea, aq më tepër me fizikun e tij jo të përshtatur me stilin e bardhë: “Kërkesa fizike në Madrid është shumë e ndryshme, ky është një projekt që nuk korrespondon me fizikun e tij. Eden duhej të kishte qëndruar edhe një sezon te Chelsea për t’u përgatitur”.

Në të njëjtën kohë, ish-menaxheri kujtoi se trajnerët e tij dhe njerëzit që i rrinë përreth duhet të ndalojnë së “infantilizuari” atë: “Eden është 30 vjeç, ndaj duhet të ndalojmë së foluri me të sikur të ishte 12 vjeç. Ai duhet të marrë përgjegjësinë që ka mbi supe, ka nevojë për sfida dhe treguar nivelin më të mirë. Faktet e tregojnë këtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat