Barcelona në presion të Atleticos, Koeman flet për Messin

Futboll

Barcelona në presion të Atleticos, Koeman flet për Messin

Më: 7 maj 2021 Në ora: 18:39
Barcelona në presion të Atleticos, Koeman flet për Messin

Ronald Koeman nuk beson se ndeshja e kësaj të shtune kundër Atléticos së Madridit do të përcaktojë fituesin e LaLigas.  Barcelona pret kryesuesit (kanë dy pikë më shumë) me dëshirën e madhe për t’i marrë vendin e parë, sigurisht duke shpresuar gjithashtu se Reali i Madridit nuk do të fitojë ndaj Sevillas.

Trajneri holandez në konferencën për shtyp të rastit theksoi se vazhdimësia e Messit do të ishte një lajm i shkëlqyeshëm për klubin dhe për planifikimin e sezonit të ardhshëm.

“Nuk mendoj se rezultati i kësaj ndeshjeje është vendimtar, sepse do të kemi tri sfida të tjera për të zhvilluar.

Sigurisht është e rëndësishme, sepse kanë mbetur pak ndeshje por nuk është vendimtare. Unë jam i bindur se, nëse fitojmë në katër ndeshjet e mbetura, ne do të jemi kampionë”.

Sigurisht që pyetjet mbi të ardhmen e Messit nuk mungojnë në çdo dalje të holandezit për mediet.

“Gjëja më e mirë për ne është që Leo të qëndrojë. Është më e lehtë ta planifikosh sezonin e ardhshëm, sepse ne do të vazhdonim me më të mirin në botë. Çdo trajner flet me drejtuesit e klubit për përgatitjet parasezonale, blerjet etj.”

Diego Pablo Simeone, trajneri i Atleticos së Madridit, si gjithmonë me përulësi, deklaroi në konferencën për shtyp se skuadra e tij do të përballet me një kundërshtar të madh. Prej thuajse një dekade në krye të “Los Colchoneros” nuk ka shijuar një fitore në “Camp Nou”.

“Ka gjithmonë një herë të parë në jetë për këdo. Titulli? Mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, me përulësi. Si e shoh Suarezin? I gjithë grupi është shumë entuziast, jo vetëm Luisi. Unë i besoj plotësisht të gjithë ekipit që kam”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat