Revolucion te Barcelona

Futboll

Revolucion te Barcelona

Më: 15 maj 2021 Në ora: 08:39
Barcelona

Klubi i Barcelona-s po planifikon të rimodelojë skuadrën për të rritur nivelin, për të ulur pagat, duke bërë shitje, shkëmbime dhe transferime jo shumë të kushtueshme. Deri tani është një listë me 14 emra të mundshëm për t’u larguar, ku kryesorët janë: Neto, Umtiti, Junior, Matheus, Braithwaite, Coutinho dhe Pjaniç-i.

Një tjetër çështje kryesore për klubin është dhe Lionel Messi, për të cilin klubi ka besim se ai do të mbetet në Barcelonë.

Pothuajse, Barcelona e ka humbur titullin në La Liga këtë sezon dhe Joan Laporta po kërkon të ndërmarrë një rimodelim të thellë në skuadrën e tij, ku më shumë se gjysma e lojtarëve që drejtohen nga Ronald Koeman-i është në tregun e transferimeve.

Gazeta katalanase, Mundo Deportivo raporton 14 emrat më të lakuar për t’u larguar: Neto, Umtiti, Matheus, Pjaniç, Braothwaite, Coutinho, Firpo, Sergi Roberto, Lenglet, Riqui Puig, Dembele, Griezmann, Trincao dhe Carles Alena.  Barcelona do të pranonte edhe huazimin e disa prej tyre, në mënyrë që të lirohet nga paga, por jo përfundimisht, pasi mund t’i shesë në të ardhmen.

Në hyrje po shihen lojtarë me eksperiencë dhe me kosto të lirë. Sipas raportimeve, transferimi i parë do të jetë ai i Eric Garcia-s, mbrojtësit qëndror të Manchester City-t. 20-vjeçari do të jetë transferim i lirë në verë dhe nuk do të peshojë shumë në arkat e klubit, përveç pagës.

Rrugën e njëjte si Garcia, pritet ta ndjek edhe Sergio Aguero. Shoku i Messi-t te Kombëtarja e Argjentinës pritet gjithashtu të kalojë nga Manchester City te Barcelona si transferim i lirë.

Në sulm, ndiqet me interes edhe bashkëkombasi i teknikut Koeman, Memphis Depay. Kapiteni i Lyon-it, gjithashtu përfundon kontratën në verë me francezët dhe del si transferim i lirë.

Në mesfushë ndiqet një tjetër bashkëkombas i Koeman-it, Georginio Wijnaldum-i. Mesfushori i Liverpool-it përfundon kontratën në verë dhe gjithashtu do të jetë një transferim i lirë.

Lojtarët që ndiqen janë me përvojë dhe mbi të gjitha klubit i duhet vetëm të mbulojë pagat e tyre dhe jo kostot e transferimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat