Përshëndetet me rekord

Futboll

Përshëndetet me rekord

Më: 23 maj 2021 Në ora: 19:46
Përshëndetet me rekord

Sergio Aguero u përshëndet me Premierligën në mënyrën më të përkryer të mundshme, duke i shënuar dy gola si zëvendësues në fitoren e kampionit Manchester City 5:0 kundër Evertonit në ditën e fundit të sezonit në ligë.

Çasti të cilin e priti çdo tifoz i Cityt erdhi në minutën e 65-të, kur Aguero, i cili po largohet nga klubi pas plot 10 vjetëve, e zëvendësoi Riyad Mahrezin.

Sulmuesit argjentinas iu deshën vetëm gjashtë minuta për të shënuar me një goditje të mençur.

Ai shënoi përsëri vetëm pesë minuta më vonë me një goditje brilante me kokë, atë që ishte goli i tij i 260-të në përgjithësi në fanellën e City.

Me këto dy gola, 34-vjeçari e theu rekordin e Wayne Rooney për më së shumti gola për një klub të vetëm në Premierligë, 184.

Kjo ishte ndeshja e fundit e Agueros në Etihad dhe ai mund ta luajë edhe një ndeshje para se të përshëndetet me klubin ku i kaloi 10 vjet karrierë.

City do të përballet me Chelsean në finalen e Ligës së Kampionëve më 29 maj në Porto dhe Aguero shpreson të lërë gjurmë edhe aty dhe të largohet me titullin e kampionit evropian.

Aguero ka arritur marrëveshje dyvjeçare me Barcelonën, të cilës do t’i bashkohet muajin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat