Klopp: Nuk jam i habitur nga shpenzimet

Futboll

Klopp: Nuk jam i habitur nga shpenzimet

Më: 14 gusht 2021 Në ora: 11:03
Klopp: Nuk jam i habitur nga shpenzimet

Në “fytyrën” e Liverpoolit këtë sezon ka ndryshuar vetëm diçka: Jurgen Klopp nuk mban më syze. Megjithatë kjo është e reja e vetme në tre vitet e fundit dhe natyrisht që tifozëve në “Anfield Road” nuk u pëlqen aspak një fakt i tillë.

Teksa Manchester City me Jack Grealish, Chelsea me Lukakun dhe Manchester United me Jadon Sanchon shpenzuan përkatësisht 118, 115 dhe 85 milionë euro, “the reds” u mjaftuan vetëm me afrimin e mbrojtësit Ibrahima Konate për 40 milionë euro nga Leipzig.

Asgjë më shumë për të bërë për klubin nga “Anfield Road”, që natyrisht vuan efektet e pandemisë, megjithatë trajneri Jurgen Klopp pranon se nuk është aspak i habitur që klubet e tjera vijojnë të shpenzojnë pa kufi.

“Nuk jam i habitur nga shpenzimet, pasi e di mirë që kufizimet e pandemisë nuk ndikojnë në klube si Manchester City, Chelsea e PSG, të cilat kanë burime të tjera të ardhurash. Pak dyshime kam vetëm për Manchester United, pasi nuk e di si ia bëjnë të përballojnë shpenzime të tjera. Ne te Liverpool jemi të kufizuar, pasi mund të shpenzojmë vetëm ato që fitojmë dhe për shkak të pandemisë kemi fituar pak vitet e fundit. Edhe me Konate e kemi tepruar disi me shpenzimin, por vitin e fundit vuajtëm jo pak në qendër të mbrojtjes dhe nuk donim të gjendeshim sërish të papërgatitur. Klubet që kanë shpenzuar shumë, nuk kanë kufizime, ndërsa ne kemi pasur e kemi, por sërish ia kemi dalë të jemi të suksesshëm”, u shpreh Klopp.

E nëse në merkato “the reds” kanë lëvizur shumë pak, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rinovimet, pasi drejtuesit e Liverpool kanë blinduar me kontrata të reja afatgjata të gjithë futbollistët e rëndësishëm të skuadrës.

“Ne mbajmë ekipin të bashkuar dhe kemi rinovuar thuajse me të gjithë, pasi edhe këtë e shohim si një aspekt mjaft të rëndësishëm. Skuadrat e tjera i kanë zili lojtarët tanë dhe u duhen shumë para për t’i blerë, ndërsa ne i kemi tashmë dhe duhet vetëm t’i shtrëngojmë fort.

Sigurisht që blerjet e reja janë më emocionuese për tifozët, por edhe kur nuk bën merkato, nuk do të thotë se nuk punohet. Chelsea dhe dy Manchesterët nuk e kanë fshehur ambicien e tyre për të fituar titullin dhe sigurisht që nuk do të fshihemi as ne, pasi kemi organikën për të bërë mirë”, deklaroi trajneri gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat