Lindon Selahi po rigjen formën e mirë

Futboll

Lindon Selahi po rigjen formën e mirë

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 23:12
Lindon Selahi po rigjen formën e mirë

Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare ka gjetur rrugë e rrjetës këtë fundjavë. Pas Nedim Bajramit, i cili ka shënuar golin e dytë me Empolin në Serinë A italiane, këtë të diel shijen e golit e ka provuar edhe Lindon Selahi.

Mesfushori kuqezi ka shënuar për herë të parë në kampionatin kroat me ekipin e Rijekës, ku u transferua gjatë merkatos së verës.

Selahi realizoi në minutën e 46-të të ndeshjes Gorica-Rijeka, pas një aksioni mjaft të bukur sapo kishte nisur pjesa e dytë, duke shënuar me një gjuajte me të djathtën në zonë dhe duke barazuar shifrat përkohësisht në 2:2.

Mund të quhet një farë “derbi” kuqezi në kampionatin kroat pasi në radhët e Goricës aktivizohet edhe Albi Doka, i cili ashtu si edhe Selahi, e kishte nisur si titullar sfidën.

Në minutën e 71-të Doka është zëvendësuar, teksa edhe Selahi gjithashtu u zëvendësua në minutën e 80-të. Ndeshja përfundoi me fitoren 4-3 të Rijekës, që golin e fitores e shënoi në minutat shtesë.

22-vjeçari shqiptar duket se po rigjen formën e mirë pas transferimit në kampionat kroat, ku ka gjetur hapësira dhe ka luajtur rregullisht këtë sezon. Lajm pozitiv për mesfushën e Kombëtares që ka vërtetë nevojë për lojtarë në formë në këtë fazë të rëndësishme të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat