Bare mungon për shkak dëmtimi, Espanyol merr një tjetër fitore

Futboll

Bare mungon për shkak dëmtimi, Espanyol merr një tjetër fitore

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 23:50
Foto

Pas suksesit me Real Madrid, Espanyol ka arritur një tjetër fitore, duke mundur Cadiz në shifrat 2-0. Skuadra e drejtuar nga Moreno Vicente ishte dominuese absolute, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim fitoren, megjithatë duhet të priste deri në fundin e pjesës së parë për të shënuar golin e avantazhit.

Raul de Tomas arriti që të mposhte portierin e Cadiz në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, duke i dhënë qetësinë skuadrës së tij para se ekipet të drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes. Goli i katërt për këtë sezon për 27-vjeçarin, i cili po kalon një moment mjaft të mirë, pasi një javë më parë shënoi dhe ndaj Real Madrid.

Në pjesën e dytë ishte Nico Melamed i cili shënoi dhe golin e dytë për Espanyol, që nuk e pati të vështirë që të menaxhonte rezultatin për minutat e mbetura, e të mbante larg portës Cadiz, që e pati të vështirë për të depërtuar.

Me tre fitore në katër ndeshjet e fundit Espanyol shkon në kuotën e 12 pikëve, duke e lënë pas atë start jo të mirë të kampionatit, ndërsa në anën tjetër Cadiz mbetet në vendin e 16 me 7 pikë. Vlen të theksohet mungesa për shkak dëmtimi e mesfushorit shqiptar të Espanyolit, Keidi Bare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat