Bajrami rigjen formën më të mirë

Futboll

Bajrami rigjen formën më të mirë

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 12:03
Bajrami rigjen formën më të mirë

Mesfushori i talentuar i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami duket se po kthehet në formën e tij më të mirë me Empolin në Serinë A, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të skuadrës ashtu si edhe sezonin e kaluar.

Bajrami ishte lojtari kyç në fitoren 3-1 ndaj Udinezes duke udhëhequr përmbysjen me asistin e golit të tretë dhe duke shënuar golin e dytë të sfidës.

Shqiptari shfrytëzoi siç duhet mundësinë në minutën e 59-të, kur një krosim nga e majta nuk u dal dot plotësisht nga portieri i Udinezes dhe Bajrami ishte në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë. Në minutën e 78-të erdhi dhe momenti që vulosi ndeshjen teksa mesfushori kuqezi depërtoi në zonë nga e djathta dhe pasoi në qendër të zonës për Pinamontin, i cili e kishte të lehtë të shënonte golin e tretë.

Nedim Bajrami ka realizuar këtë sezon 3 gola dhe 3 asiste në 14 ndeshje të luajtura në Serinë A, teksa është vlerësuar me notën 8.8 nga faqja e specializuar Sofascore. Empoli është aktualisht në vendin e 11-të të renditjes me 23 pikë të grumbulluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat