Agjenti i Lukakut: Do ta shohim atë në Serie A

Futboll

Agjenti i Lukakut: Do ta shohim atë në Serie A

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 14:44
Romelu Lukaku

Sot, kampioni evropian Chelsea zhvillon ndeshje kundër Leeds United, e cila është e vlefshme për xhiron e 16 të Premier Ligës angleze.

Chelsea do të synojë me çdo kusht të arkëtojë pikët e plota, që të qëndrojë në garë për titullin e Premier Ligës së bashku me Liverpool e Manchester City.

Në ndeshjen e sotme, pritet të paraqitet nga minuta e parë sulmuesi belg Romelu Lukaku, i cili që nga transferimi te Chelsea nuk është duke kaluar nëpër momente të mira.

Në fakt, ylli i Chelseat deri tani ka pasur probleme me lëndime, ku edhe nuk ka pasur mundësi që ta arrijë potencialin që e kishte te skuadra e Interit.

Spekulime janë duke qarkulluar se Lukaku nuk është njeriu i duhur për ta udhëhequr sulmin e Chelseat, ku në 15 paraqitje në të gjitha garat për “Blutë” ka regjistruar vetëm pesë gola mbi emrin e tij.

Këtyre spekulime iu është adresuar agjenti i Lukakut Federico Pastorello, i cili nuk hezitoi që të tregonte se në të ardhmen ylli belg mund të rikthehet në Serie A.

“Një ditë do ta shohim Lukakun të rikthehet në Serie A, sepse ai e dashuron Italinë. Por tani është koha që Chelsea ta shijojë Romelun. Marina Granovskaia meriton më të mirat. Ajo është shumë serioze, nuk bën blof kurrë”, tha Pastorello.

Para se të transferohej në Chelsea, Romelu Lukaku kaloi dy sezone me Interin, duke regjistruar 64 gola dhe 16 asistime në 95 ndeshje, dhe duke i ndihmuar “Nerazzurët” të fitojnë titullin e Serie A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat