Futbolli shqiptar do të ofrojë këtë vit një kalendar plot me ngjarje dhe ndeshje të rëndësishme, të gjitha për t’u shijuar nga sportdashësit shqiptarë. Emocionet e futbollit kuqezi do të nisin që në shkurt me dy ndeshje miqësore të Kombëtares U-17 të drejtuar nga Ervin Bulku, që do të përballet me Italinë U-17 në Koverçano. Një mundësi e mirë për kuqezinjtë e vegjël që do të kenë shanset për të matur forcat me një skuadër me nivel të lartë botëror siç është Italia. Takimet do të luhen më 22 dhe 24 shkurt.
Muaji mars rezervon disa data të rëndësishme, që shënojnë edhe fillimin e disa kompeticioneve zyrtare të UEFA-s për përfaqësueset e moshave. Fillimisht, Kombëtarja U-17 e femrave do të luajë tre sfidat e Europianit U-17 përkatësisht ndaj Azerbajxhan (08 mars 2022), Skocisë (11 mars 2022) dhe Maqedonisë së Veriut (14 mars 2022). Të treja këto sfida do të luhen në Shqipëri, teksa UEFA ia ka besuar FSHF-së organizimin e ndeshjeve të grupit. Më pas është radha e Kombëtares U-21 që të zhvillojë dy ndeshjet e eliminatoreve të Europianit U-21 ndaj Çekisë më 25 mars dhe Anglisë më 29 mars. Më datat 26 dhe 29 mars, Kombëtarja A do të zhvillojë dy miqësore me peshë respektivisht ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë.
Më pas në prill është radha e Kombëtares U-19 për femra që të luajë tre ndeshjet e eliminatoreve të Europianit U-19 duke sfiduar Izraelin (5 prill 2022), Qipron (8 prill 2022) dhe Turqinë (11 prill 2022).
Po në prill Kombëtarja shqiptare e futsallës do të jetë e impenjuar në Paraeliminatoret e Kupës së Botës së Futsallit 2024. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, është shortuar në Grupin E dhe përballë do të ketë Suedinë, Andorrën dhe Austrinë.
Turneu paraeliminator do të zhvillohet në muajin prill në Suedi, nga data 4 deri në 13 prill, ndërsa çiftet e ndeshjeve mbeten për t’u përcaktuar.
Ky muaj do të mbyllet me ceremoninë e titullit kampion të kampionatit të femrave 2022.