Luhet futboll në pesë zona të Shqipërisë, rifillon kampionati edhe në Shkodër

Futboll

Luhet futboll në pesë zona të Shqipërisë, rifillon kampionati edhe në Shkodër

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 12:38
Luhet futboll në pesë zona të Shqipërisë, rifillon kampionati edhe në Shkodër

Kampionati i futbollit amator 5×5 ka rifilluar aktivitetin në qytetin e Shkodrës përgjatë fundjavës që lamë pas, pas shkëputjes për shkak të pushimeve dimërore, teksa në Tiranë, Durrës, Elbasan e Cërrik, kampionati ka nisur disa javë më parë, duke rikthyer emocionet dhe garën për pjesëmarrësit e shumtë.

I organizuar në gjashtë zona në kryeqytet, ky kampionat vijon të sjellë surpriza dhe ndeshje interesante, duke e bërë më tërheqës për të gjitha ekipet që marrin pjesë. Në grupin e parë në Tiranë, kryeson ekipi i ATS me 28 pikë, që këtë javë është ndalur në barazimin 4-4 në sfidën ndaj Pharma Cell. Në renditjen e këtij grupi, me një pikë më pak në vendin e dytë renditet skuadra e Julton, që fitoi ndaj skuadrës së Gajdit, me shifrat 4-5, ndërsa me 26 pikë, në vendin e tretë renditet Holle Team, që gjithashtu mori një barazim 6-6 ndaj Digi Print.

Sakaq, në grupin e dytë Tirana 5×5 vijon të kryesojë kampionatin me 36 pikë, teksa me pesë pikë më pak renditet ekipi i Prestige B. Në grupin e tretë spikati ndeshja Cermenika – Nabucco Lounge, dy skuadrat që renditen në krye të klasifikimit. Kjo sfidë nuk shkoi më tepër se barazimi 1-1, me Çermenikën që është në kuotën e 37 pikëve, ndërsa Nabucco Lounge gjendet në vendin e dytë me gjashtë pikë më pak.

Në grupin e katërt u zhvillua një tjetër ndeshje interesante, mes vendit të parë dhe vendit të dytë, Sony A.D dhe Select, që u fitua nga këta të fundit me shifrat 3-8, duke krijuar një lojë mjaft të bukur nga të dyja skuadrat. Sony A.D vijon të udhëheqë kampionatin me 33 pikë në këtë grup, teksa ndiqet nga ekipi i Selectit, me tre pikë më pak.

Ndërkaq, sfida më e luftuar në grupin e pestë ka qenë ajo mes Beautiful Albania – Çamëria, me jugorët që fituan me rezultatin 1-3, duke u ngjitur në vendin e dytë me 21 pikëm ndërsa në vendin e parë renditet skuadra e Vivi La Vita. Në grupin e gjashtë, Kalçeto Ademi ka siguruar një fitore të madhe, duke mundur me shifrat 15-4 skuadrën e Black Eagles dhe duke ruajtur pozitat e vendit të parë në kuotën e 36 pikëve, ndërsa me 33 pikë renditet në vendin e dytë skuadra e Prestige MFC.

Në Durrës, Elbasan e Cërrik gjithashtu është rikthyer prej javësh kampionati 5×5. FJT në grupin A dhe Sallmani SC në grupin B vijojnë të jenë në krye të tabelës në Durrës. Sakaq, AMG Studio kryeson kampionatin në Elbasan me 18 pikë, ndërsa në vendin e dytë e të tretë renditen Elite Sport dhe Sh.S. Pepa. Në Cërrik, FC Shalsi gjendet në kuotën e 9 pikëve në vendin e parë, ndërsa në Shkodër, Air Albania gjendet e sigurtë me 8 pikë më shumë se MFC Panthers në tabelën e klasifikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat