Tirana bëhet gati për finalen e madhe të Evropës, Tomorri: Siguria, biletat & tifozët...

Futboll

Tirana bëhet gati për finalen e madhe të Evropës, Tomorri: Siguria, biletat & tifozët...

Më: 27 prill 2022 Në ora: 19:35
Tirana bëhet gati për finalen e madhe të Evropës, Tomorri: Siguria, biletat & tifozët...

Tirana do të presë më 25 maj finalen e parë të UEFA Europa Conference League në stadiumin “Air Albania”, ngjarja më e madhe futbollistike e organizuar ndonjëherë në vendin tonë. Prej shtatorit, delegacione të ndryshme të UEFA-s kanë zhvilluar disa vizita inspektuese, duke bashkëpunuar ngushtë me FSHF-në, ndërsa tashmë kur po afrohet dita e finales, përgatitjet shtohen edhe më shumë.

Në një intervistë për RTV Klan, drejtuesi i Projektit të UECL në FSHF, Kejdi Tomori flet për masat e marra për të siguruar një finale të tillë, biletat e ndeshjes, ku thekson se interesi është i lartë si edhe vizitorët specialë të Tiranës më 25 maj.

Siguria ditën e ndeshjes – “Kemi pasur trajnime të herëpashershme, UEFA ka organizuar trajnime edhe me strukturat e rendit, me urgjencat mjekësore, me zjarrfikësit dhe aktualisht kemi trajnimet e stjuartëve.

Pra, që tani kanë filluar përgatitjet e steëard-ëve, që do të jenë mbi 650 në ditën e ndeshjes në stadium përveç forcave të Policisë, që do të mbulojë pjesën jashtë stadiumit, në mënyrë që të gjithë personat e angazhuar në aspektin e sigurisë të dinë mënyrën e operimit. Duhet të kemi parasysh, që në momentin që stadiumit merret në dorëzim nga UEFA, përdoren të njëjtat standarde në të gjitha ndeshjet, që do të thotë se stjuardët duhet të kenë të njëjtin trajnim dhe të njëjtën sjellje siç kanë në finalen e Champions League dhe Europa League”.

Biletat e finales – “Ka një interes shumë të lartë të tifozëve për të ardhur në Shqipëri. Duke qenë finalja e parë dhe duke qenë se në garë janë katër skuadra shumë të mira që fare kollaj mund të ishin finalstë edhe të Europa League-s, pritshmëria e tifozëve për të ardhur në Tiranë është shumë e lartë. Janë rreth 8000 bileta që do të shiten për publikun e përgjithshëm (general public), ku deri tani kemi rreth 6000 kërkesa (mbi 20000 bileta) dhe 90% e rasteve vijnë nga Anglia, Franca, Hollanda dhe Italia, ndërsa nga pjesa e publikut shqiptar ka vetëm 10% të kërkesave, pra rreth 2400 bileta. Dua t’u bëj thirrje futbolldashësve shqiptarë që të aplikojnë në faqen e UEFA-s, duke qenë se portali do të jetë i hapur edhe për pak ditë dhe pastaj nuk do të kenë më mundësi për të siguruar bileta. Parashikohet që të vijnë edhe shumë tifozë në Tiranë, edhe pse nuk do të kenë bileta. UEFA ka një sistem regjistrimi biletash elektronike kodin QR, që nuk mund të ndryshohet”.

Vizitorët specialë më 25 maj – “Pjesa më e madhe e hoteleve kryesore të Tiranës janë të zëna nga UEFA, ku përfshihen hotelet e dy ekipeve, një pjesë e UEFA-s që do të qëndrojë në Tiranë. Vetëm nga UEFA do të jenë rreth 120 persona që do të jenë për 10 ditë në kryeqytet të angazhuar me finalen.

Do të ketë një numër shumë të lartë stafi nga transmetuesit televizivë, duke qenë se kërkesa është shumë e madhe për të ndjekur këtë ndeshje. Kemi pasur komunikime me të katër skuadrat gjysmëfinaliste dhe ato kërkojnë që t’i orientojmë në hotele të tjera, sepse kanë kërkesa të mëdha nga tifozët e tyre. Mendoj që në ditën e ndeshjes, gjithçka do të jetë sold-out”.

Sipas parashikimeve të ekspertëve kjo ndeshje e madhe mund të gjenerojë deri në rreth 140 milionë euro të ardhura për Shqipërinë, duke përfshirë të gjitha kostot e udhëtimit, akomodimit apo edhe shpenzimet për shërbime të tjera si transporti apo ushqimi. Finalja historike e UEFA Conference League pritet të sjellë shumë të ardhura për Shqipërinë dhe padyshim edhe imazh për vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat