Vjen goli i dytë i kampionatit për Armando Dobrën në Angli

Futboll

Vjen goli i dytë i kampionatit për Armando Dobrën në Angli

Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 20:59
Futbollisti Armando Dobra

Armando Dobra po kthehet pak nga pak në një lojtar kyç për Lejton Orient në League One, teksa e ka ndihmuar që të marrë një tjetër fitore në kampionat.

Këtë herë, ai ka shënuar një gol shumë të pazakontë, por që i është akorduar ish-sulmuesit të Shpresave kuqezi.

Në ndeshjen e sotme përballë Uimbëlldon, Dobra ishte titullar në fushën e lojës dhe në minutën e 42-të u fut në listën e golashënuesve në mënyrë të çuditshme. Ai insistoi në hyrje të zonës duke bllokuar dy herë largimin e topit nga mbrojtësit dhe më pas sfera shkoi te Gilbert.

Ky i fundit lëshoi një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës që mposhti portierin, por askush nuk e kuptoi pse ishte Dobra ai i cili shkoi të festonte para tifozëve dhe jo autori i goditjes për golin e 3-0.

Por përsëritjet treguan se një devijim i Dobrës kishte ndryshuar trajektoren e topit e kësisoj, autorësia e golit i kaloi atij, siç u njoh edhe në protokollin e ndeshjes që u mbyll me shifrat 4-1 për Lejton Orient.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat