Kështu e komentuan mediat greke ndeshjen me incidente ndaj Kosovës

Futboll

Kështu e komentuan mediat greke ndeshjen me incidente ndaj Kosovës

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 10:50
Pamje nga ndeshja

Mediat greke i kanë minimizuar incidentet që ndodhën mbrëmë në stadiumin e Volos, ku Greqia e mundi Kosovën 2:0 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Në stadium pati gjithçka përpos futbollit, me incidentet që nisën ende pa filluar loja, për të vazhduar gjatë tërë saj e deri në përfundim të saj.

Mirëpo, mediat greke kanë raportuar qetë, si të mos kishte ndodhur asgjë, ndërsa i lanë “paq” tifozët grekë, të cilët e shpërfaqën edhe një herë urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve.

“Fitore e madhe e Kombëtares së Greqisë ndaj Kosovës. Skuadra mbizotëroi 2:0 me golat e Giakoumakis dhe Mandalos. Arriti në katër ndeshje dhe katër fitore në Ligën C të Kombeve dhe e mbylli çështjen e liderit në grup si dhe ngitjen bë Ligën B”, ka shkruar mediumi grek “sportdog” në versionin e tij online.

Ndërkohë, të vetmin fakt që e përmend ky medium është se “ka pasur tensione në lojë” dhe laserin që u lëshua në drejtim të lojtarëve të Kosovës, në tentim për t’i penguar ata.

Ndërkaq, mediumi tjetër grek, “Gazzetta.gr” po ashtu ishte i butë në shkrimin që e bëri për lojën me plot incidente.

Episodet që shpërthyen në tribunat e “Panthessalikos” menjëherë pas rezultatit 1:0 të Greqisë çuan në pezullimin e lojës me Kosovën. Në minutën e 71-të dhe pas golit të shënuar nga Giakoumakis, në “Panthessaliko” pati incidente mes tifozëve grekë dhe kosovarë. Këto episode u bënë shkak i pezullimit të përkohshëm të lojës”, ka shkruar ky medium.

Tifozët grekë i sulmuan me fishekzjarrë dhe me shishe nga distanca tifozët kosovarë, ndërsa më pas disa prej tyre e kaluan gardhin dhe tentuan t’i sulmonin “Dardanët”.

Ata ndërkohë e vërshëllyen himnin shtetëror të Kosovës, shfaqën banera skandaloz dhe provokues, me flamurin serb brenda hartës së Kosovës dhe bënë brohoritje anti-shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat