Struga prezanton edhe ish-yllin e Skënderbeut

Futboll

Struga prezanton edhe ish-yllin e Skënderbeut

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 18:36
Enis Gavazaj

Struga Trim Lum ka ambicie të mëdha për sezonin e ri në Maqedoninë e Veriut. Klubi shqiptar ka zyrtarizuar afrimin e tretë pas Besart Ibraimit, sulmuesit të njohur dhe golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit maqedonas.

Goditja e dytë ishte Fatjon Jusufi, sulmuesi tetovar që në janarin e vitit 2019 u afrua te Partizani, për t’u larguar disa ditë më vonë nga klubi kryeqytetas. Ndërkohë, sot ka ardhur edhe zyrtarizimi i Enis Gavazajt, një emër i njohur në Abissnet Superiore.

27-vjeçari nga Prizreni, i cili luan si sulmuesi i majtë, ishte pjesë e Dinamos në fazën e parë të sezonit të fundit, teksa qëndron pa ekip prej muajit janar. Gavazaj ka veshur 3 herë fanellën e kombëtares shqiptare.

Lojtari ofensiv shkëlqeu me Skënderbeun në Shqipëri dhe turnetë europiane, provoi një aventurë me Kukësin në Superiore, teksa jashtë ka luajtur me Gent dhe Roeselare (Belgjikë), Yenisey (Rusi), Dinamo Minsk (Bjellorusi), ndërkohë që u aktivizua në dy periudha të ndryshme me Prishtinën.

Tani do të tentojë të rikthehet në formën e ditëve më të mira te Struga, aty ku shpreson të shënojë e dhurojë asiste për të ndihmuar ekipin shqiptar të realizojë objektivat sezonalë në elitën e futbollit maqedonas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat