Kampionati i futbollit amator 5×5 i FSHF ngre siparin në edicionin e ri

Futboll

Kampionati i futbollit amator 5×5 i FSHF ngre siparin në edicionin e ri

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 19:08
Kampionati i futbollit amator 5×5 i FSHF ngre siparin në edicionin e ri

Pas kampionatit amator të futbollit 9×9, ka nisur edhe edicioni i radhës i kampionatit të futbollit 5×5 të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit e që është turneu më popullor e me më shumë masivitet mes të apasionuarve pas futbollit.

Gjatë javës së kaluar janë luajtur pesë ndeshjet e javës së parë në Grupin C të Zonës së Tiranës, ndërsa gjatë kësaj jave do të luhen edhe ndeshjet e tjera të kësaj premiere.

Në Zonën e Tiranës këtë edicion marrin pjesë 68 skuadra të ndara në 7 grupe dhe risia është pjesëmarrja e 10 skuadrave nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, që formojnë një grup dhe do të garojnë këtë sezon për titullin kampion. Ndeshjet e këtij kampionati luhen në ditë të ndryshme të javës, teksa FSHF merr përsipër organizimin e ndeshjeve dhe pagesat për zyrtarët, siguri fizike dhe asistencën mjekësore.

Javën e ardhshme do të nisë kampionati edhe në Zonën e Durrësit, ndërkohë që në javët në vazhdim me mbylljen e regjistrimeve të lojtarëve do të hidhet shorti edhe për zonat e Elbasanit, Shkodrës dhe Korçës. Pasi të kenë luajtur të gjitha ndeshjet në fazën e grupeve, ekipet e kualifikuara do të kalojnë në fazën play-off për të shpallur edhe kampionin e ri kombëtar të kampionatit 5×5.

Ndryshe nga viti i kaluar pritet që në këtë edicion të kemi 160 ekipe pjesëmarrëse, një rritje e konsiderueshme krahasuar me sezonin e kaluar. Në 6 ndeshjet e javës së parë nuk kanë munguar golat dhe sfidat emocionues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat