Kukësi pret fitoren

Futboll

Kukësi pret fitoren

Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 11:26
Kukësi pret fitoren

Kukësi pret Teutën të dielën në shtëpi, me synimin e vetëm për të dalë me tri pikë nga ndeshja që nis në orën 13:00 në stadiumin “Kukës Arena”.

Duke parë klasifikimin, ku përballen dy vendet e fundit në renditje, bëhet fjalë për një sfidë me aromë mbijetese dhe kësisoj të dyja skuadrat do të kërkojnë maksimumin ose minimalisht të mos dalin të humbura.

Gjithsesi, duke parë investimet dhe synimet e skuadrës verilindore këtë sezon, mund të thuhet se janë të dënuar të fitojnë dhe të marrin tri pikët përballë publikut të tyre.

Çdo rezultat tjetër, veç fitores, do të ishte një dramë për Kukësin, prandaj edhe presioni është shumë i madh nga ana e drejtuesve të klubit, të cilët presin menjëherë kthesën nga skuadra që drejtohet nga durrsaku Enkeleid Dobi.

Ky i fundit do të përballet për herë të parë kundër skuadrës së vendlindjes pas 26 vitesh, teksa për herë të fundit ka qenë në fushë si pjesë e Teutës në sezonin e largët 1995-1996.

EKIP GJYSMAK – Duke e krahasuar me ekipin në javën e fundit para pushimeve, mund të thuhet se në këtë ndeshje Kukësi vjen me një skuadër të përgjysmuar.

Dy nuk do të jenë për arsye largimesh, të tjerë për dëmtime dhe një për shkak kartonësh.

Me pak fjalë, Dobi i bie që të ketë një ekip të përgjysmuar në sfidën me durrsakët, duke llogaritur largimet e freskëta të Zivkoviç dhe Moraesh, dëmtimet e Meksit dhe Giasit, të cilët edhe mund të rikuperohen, si edhe dënimin e Shqiprim Taipit.

Gjithsesi, Dobi ka pasur kohë këto ditë për të riformatuar skuadrën, pasi ishte njohur më herët për këto mungesa, ndonëse për hir të së vërtetës nuk është se ka shumë alternativa në dispozicion.

Sakaq, pritet që Kukësi të rikthehet në skemën 4-4-2 me Barbosën dhe Dacin që do ta nisin nga minuta e parë në sulm.

Në portë me shumë gjasa do të jetë kosovari Halimi, edhe pse klubi nuk e ka konfirmuar ende si afrim.

Në mbrojtjen me katër, Ndreca dhe Bytyçi nga krahët, ndërsa Ferreira me Ilieskin në qendër. Gjelbrim Taipi me Mbarak do të jenë në mesfushë, ndërsa Basha me Haxhiun nga krahët.

SITUATA – Mund të thuhet se në klub është një situatë e nderë dhe me tensionin në kulm. Rezultatet nga njëra anë, problemet me pagesat në krahun tjetër, i kanë bërë verilindorët të përjetojnë një moment të vështirë.

Klubi pret kthesën dhe synon 9 pikë në tri sfidat e këtij viti dhe më pas të mbajnë shpresat te merkato e janarit për të kryer përforcimet që i duhen që të rikthehen sërish konkurrues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat