Ukraina e fshiu Tymoshchuk-un nga historia e futbollit, e shpalli tradhtar

Futboll

Ukraina e fshiu Tymoshchuk-un nga historia e futbollit, e shpalli tradhtar

Më: 8 janar 2023 Në ora: 11:57
Tymoshchuk

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi një dekret që vendos sanksione të shumta për rekordmenin për nga numri i ndeshjeve për kombëtaren e Ukrainës, Anatoly Tymoshchuk. Ish-futbollisti u përfshi në listën e sanksioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës për një periudhë 10-vjeçare, së bashku me figura të tjera të njohura nga sporti dhe biznesi në Ukrainë dhe Rusi.

Tymoshchuk është trajner në Zenit të Shën Petersburgut dhe ende nuk e ka dënuar agresionin rus dhe luftën në Ukrainë. Atij iu kërkua vazhdimisht nga bashkatdhetarët e tij që të largohej nga detyra, por ai nuk e bëri. Pas sulmit të Rusisë më 24 shkurt të vitit të kaluar, Tymoshchuk reagoi vetëm me një postim të vogël në Instagram ku bën thirrje për paqe.

Një nga pasojat kryesore të sanksioneve për ish-futbollistin 43-vjeçar, me origjinë nga Lutsk, është bllokimi i të gjitha fondeve, përfshirë ato që ai mund të menaxhojë në mënyrë indirekte.

Tymoshchuk është i ndaluar të hyjë në Ukrainë, si dhe të kryejë operacione tregtare në vend, duke transferuar kapital jashtë vendit. Atij i ndalohet edhe blerja e parcelave. Tymoshchuk u hoq gjithashtu nga të gjitha çmimet sportive.

Ky nuk është sanksioni i parë për ish-futbollistin. Në ditëlindjen e Tymoshchuk, këshilli i qytetit të Lutsk i hoqi ish lojtarit të kombëtares së Ukrainës titullin “qytetar nderi i qytetit”.

Federata e Futbollit të Ukrainës i ka hequr Anatoli Tymoshchuk të gjitha çmimet dhe titujt sportivë, si dhe e ka hequr atë nga të dhënat zyrtare të ekipit kombëtar “për shkak të mbështetjes së tij të heshtur” për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Tymoshchuk ka 114 ndeshje për Ukrainën dhe është rekordmeni për numrin e ndeshjeve të luajtura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat