Ibra në histori falë shokut të skuadrës

Futboll

Ibra në histori falë shokut të skuadrës

Më: 19 mars 2023 Në ora: 12:06
Ibrahimoviç

Zlatan Ibrahimoviç është kthyer te goli në Serinë A, por kjo nuk ka mjaftuar për t;i shmangur Milan-it humbjen në fushën e Udinese-s.

Një gol special për suedezin që është bërë golashënuesi më i vjetër në historinë e Serisë A duke kaluar legjendën kuqezi Billy Costacurta. E ka bërë edhe si kapiten, edhe pse shiriti duhej të mbahej nga Bennacer.

Në intervistën e dhënë pas Udinese-Milan, 41-vjeçari, që është bërë edhe kapiteni më i vjetër në historinë e klubit milanez, ka bërë në fillim shaka për rekordin që i theu Costacurta-s (“Më mirë ta mbajë ai këtë rekord, unë nuk e dua”) dhe më pas edhe për shiritin e kapitenit, duke zbuluar prapaskenën.

Siç e thamë, kapiteni duhej të ishte Bennacer, sepse është lojtari me më shumë ndeshje të luajtura pas mungesës së Theo Hernandez. Ibrahimovic ka marrë një vizitë të shokut të skuadrës në hotel para ndeshjes.

Alegjeriani ka vendosur t’ia lërë shiritin suedezit, i cili ka thënë edhe pak me shaka: “Ka akoma hapësirë për emocione?

Po, sipas meje ka akoma hapësirë, më pas Isma ka ardhur në dhomën time dhe më ka thënë ‘dua që ti të jesh kapiten’ dhe unë i kam thënë ‘mirë, po ta heq këtë presion, kështu që të përqendrohesh te ndeshja'”. Me pak fjalë, Ibra ka dashur t’i bëjë një nder shokut të skuadrës.

Duke lënë mënjanë batutat dhe duke theksuar krenarinë që ka luajtur për herë të parë si kapiten i Milan-it, duke u kthyer titullar pas 14 muajsh, Ibrahimovic ka shpjeguar se çfarë nuk po funksionon për skuadrën e Pioli-t:

“Kur luan si kampion i Italisë je një shënjestër, është një stimul për të gjithë. Këtë vit luajmë nën presion çdo ndeshje. Të gjitha duan ta mposhtin Milan-in. Udinese dukej sikur kishte shënuar në një finale”.

Shorti i Champions-it ka dhuruar përballjen me Napoli-n, dhe Ibrahimovic do të mungojë.

Megjithatë, suedezi është shprehur optimist: “Kur ishte momenti për të dhënë listat e Champions-it nuk isha gati, e respektoj zgjedhjen dhe tani mund t’i ndihmoj shokët e skuadrës në stërvitje. Kam besim se skuadra do të bëjë mirë kundër Napoli-t”.

Në mbyllje, përveçse ka theksuar dëshirën për të vazhduar, Ibrahimovic ka folur edhe për momentin jo të mirë të Leao-s: “Nuk duket i lumtur për momentin, por po bëjmë gjithçka është e mundur që të ndihet mirë.

Ka shumë presion, flitet çdo ditë për të, por ai duhet të mendojë të bëjë diferencën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat