Diskutimet në dhomën e zhveshjes së Barcelonës nuk kufizohen më vetëm te rezultatet, lëndimet dhe vendimet taktike.
Së fundmi ka lindur një mosmarrëveshje për një çështje që lidhet me jetën private të futbollistëve dhe mënyrën se si organizohen udhëtimet zyrtare të ekipit, duke shkaktuar mendime të ndryshme brenda skuadrës.
Gazetari Javi Miguel, duke folur në emisionin “El Chiringuito”, zbuloi se disa futbollistë të Barcelonës nuk e shohin me sy të mirë faktin që familjarët dhe partneret e bashkëlojtarëve të tyre i shoqërojnë gjatë udhëtimeve zyrtare të ekipit. Ndërsa të tjerët nuk kanë asnjë kundërshtim ndaj kësaj praktike.
Sipas gazetarit, dhoma e zhveshjes është e ndarë në dy grupe. Njëri grup mendon se në udhëtimet zyrtare duhet të marrin pjesë vetëm futbollistët, stafi drejtues dhe presidenti i klubit. Grupi tjetër nuk sheh asnjë problem që familjarët të udhëtojnë së bashku me skuadrën.
Javi Miguel pranoi se nuk e di se cili është qëndrimi zyrtar i trajnerit Hans Flick për këtë çështje. Megjithatë, ai theksoi se një pjesë e futbollistëve preferojnë që udhëtimet zyrtare të jenë të rezervuara vetëm për lojtarët, zyrtarët e klubit dhe presidentin, ndërsa familjarët të takohen me ta në raste të tjera.
“Nuk e di nëse Flickut i pëlqen apo jo kjo gjë, por në dhomën e zhveshjes ka njerëz që nuk janë shumë të kënaqur me këtë praktikë. Mendoj se Flicku nuk ka asnjë problem, por disa futbollistë do të preferonin që në
udhëtime të merrnin pjesë vetëm lojtarët, zyrtarët dhe natyrisht presidenti. Ata mendojnë se familjarët mund të udhëtojnë në një rrethanë tjetër dhe të takohen me pjesëtarët e skuadrës, pasi këtë e konsiderojnë si zgjidhjen më të mirë“, deklaroi Miguel.
Pretendimi i gazetarit shkaktoi debat mes panelistëve të emisionit. Josep Pedrerol doli në mbrojtje të familjarëve, duke iu referuar një fotografie ku e dashura e Lamine Yamalit shihet e ulur pranë tij në aeroplanin e ekipit.
Pedrerol e cilësoi atë pamje si shumë të bukur dhe të këndshme, siç raportoi mediumi “ElDesmarque”.
Sandoval mban të njëjtin qëndrim: Nuk ka asnjë problem me udhëtimin e familjarëve të futbollistëve
Jose Ramón Sandoval mbajti një qëndrim të ngjashëm, duke u përpjekur ta minimizojë këtë debat.
Sipas tij, çështje të tilla bëhen objekt kritikash vetëm kur skuadra humbet. Në ato momente, prania e partnereve dhe familjarëve gjatë udhëtimeve me ekipin kthehet papritur në temë diskutimi, ndonëse në vetvete nuk përbën asnjë problem.
Sandoval u shpreh: “Këtu nuk ka absolutisht asnjë problem që familjarët të udhëtojnë së bashku me skuadrën”.
Emri i Lamine Yamalit është përmendur më shumë se i të tjerëve në këtë debat. Gjatë udhëtimeve me ekipin, ai shoqërohet nga dy miqtë e tij të afërt, Moha (kushëriri i tij, Mohamed) dhe Suha (Souhaib, mik i tij i ngushtë), si dhe nga e dashura e tij, Ines. Të gjithë ata e shoqërojnë gjatë udhëtimeve të skuadrës.
Kjo gjë ka tërhequr vëmendjen e mediave, megjithatë debati brenda dhomës së zhveshjes nuk lidhet vetëm me Yamal.
Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se Barcelona synon të ndryshojë politikën e saj lidhur me udhëtimin e familjarëve të futbollistëve së bashku me skuadrën.
Barcelona, e cila ka grumbulluar 33 pikë, do t'i rikthehet nesër kampionatit La Liga, ku të dielën pasdite do të presë Villarrealin në stadiumin “Camp Nou”, në kuadër të javës së 13-të. Katalanasit do të synojnë ta forcojnë edhe më shumë pozitën e tyre në krye të tabelës.