Ancelotti joshet nga Brazili

Futboll

Ancelotti joshet nga Brazili

Më: 21 mars 2023 Në ora: 15:12
Carlo Ancelotti

Me kampionatin që po shkon drejt Barcelonës, Liga e Kampionëve është objektivi i vetëm i mbetur këtë sezon për Realin e Madridit, që vitin e kaluar bëri bis dhe nuk mund t’i lejojë vetes ta mbyllë pa trofe.

Por pavarësisht nëse do t’ia dalë të ngrejë një kupë lart në fund të sezonit apo jo, Carlo Ancelotti duket se po kalon muajt e fundit të aventurës së tij në “Santiago Bernabeu”, ku ka fituar gjithçka si trajner.

Italiani joshet nga ideja për të drejtuar Kombëtaren e Brazilit dhe ndonëse publikisht e ka mohuar, duket se ka lënë gjithçka të hapur për një bashkëpunim, duke nisur nga vera e ardhshme.

Brazili ka gjetur një trajner të përkohshëm, si Ramon Menezes, i cili duket se do të qëndrojë aty derisa Ancelotti të largohet nga Reali i Madridit.
Italiani nuk ka provuar asnjë eksperiencë në stolin e një kombëtareje dhe sheh Brazilin si “pjacën” e duhur për të shkuar dhe lënë gjurmë, ashtu siç ka bërë në klube, duke ftuar trofetë më të rëndësishëm.

Ndërkohë, Perez duket gati t’i plotësojë dëshirën teknikut italian dhe po studion alternativat, teksa së fundi ka dalë në skenë emri i Raul Gonzales, ish-sulmues legjendar i madrilenëve, që aktualisht drejton skuadrën e dytë të Realit.

Precedenti me Zidane, që erdhi nga skuadra e dytë dhe fitoi tre herë radhazi Ligën e Kampionëve, josh jo pak Perez, që shpreson të përsëritë të njëjtin sukses edhe me Raul Gonzales.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat