​Fushë Kosova kërkon të sigurojë inkuadrimin në Superligë

Futboll

​Fushë Kosova kërkon të sigurojë inkuadrimin në Superligë

Më: 6 maj 2023 Në ora: 10:25
Foto ilustrim

Edhe pse kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të edicionit të rregullt të Ligës së Parë në futboll, Fushë Kosova mund të shpallet kampion sot (e shtunë) nëse merr pikë të plota nga përballja me skuadrën e 2 korrikut.

Gjatë pikë është diferenca momentale e Fushë Kosovës me Ulpianën e vendit të dytë, andaj festa e titullit kampion duket se është vetëm pak orë larg për këtë skuadër.

Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, thotë për KP se titullin e kampionit e kishte synuar që nga fillimi i këtij sezoni.

Shala: Nga fillimi isha i bindur se mund ta fitojmë titullin

“Në fillim unë kam qenë i bindur që me këtë grup të lojtarëve do ta arrijmë qëllimin, do të shpallemi kampion. E kam pasur pak për t’i bindur të gjithë lojtarët që mund t’i dalim me këtë grup, por me kalimin e kohës, me lojërat e zhvilluara, me përmirësimin e lojës nga loja në lojë edhe u bindën të gjithë që ne mund t’ia dalim dhe kemi vazhduar rrugën dhe synimin e vetëm, shpalljen kampion”, tha fillimisht Shala.

Shala u bën thirrje lojtarëve të tij që të mos e humbin fokusin dhe të luftojnë për pikë të plota në të gjitha tri ndeshjet e fundit të sezonit.

Shala: Nuk guxojmë të mendojmë për titullin para kohe

“Jo, jo, ne nuk guxojmë të mendojmë te shpallja kampion para kohe sepse futbollit nuk i dihet dhe mund të ndodh gjithçka, por duke marr parasysh ecurinë e ekipit tonë edhe kundërshtarët e radhës, ne besoj që në këto tri lojërat e mbetura do të marrim maksimumin e pikëve në bazë të cilësive të ekipit që kemi nuk dyshoj që do të mungojë rezultati por nuk do ta marrim si punë të kryer, ne do të luftojmë deri në fund për çdo ndeshje për fitore dhe besoj që me ecurinë e lojërave që jemi duke i zhvilluar nuk do të kemi problem t’i realizojmë pikët e plota”, shtoi ai.

Me entuziazëm inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar po e pret edhe futbollisti Leotrim Beqiri. Ai e vlerëson 2 Korrikun si skuadër shumë të rrezikshme dhe të motivuar, por është i bindur se Fushë Kosova do ta festojë sot inkuadrimin në Superligë.

Beqiri: 2 Korriku ekip i rrezikshëm

“Ne do të hyjmë për fitore si në çdo lojë që kemi hyrë edhe tani do të hyjmë për fitore dhe shpresoj që këtë javë të kurorëzohemi me Superligë... Ata janë në rrezikshmëri për vete kanë pikë që iu duhen gjithsesi dhe do ta japin maksimumin. Janë ekip i re, djem të rinj, angazhohen mirë, por edhe ne e kemi një ekip të mirë, shpresoj që do t’ia dalim këtë javë”, theksoi Beqiri.

Për kapitenin Nasuf Berisha hyrja në Superligë do të ishte moment i veçantë. Ai ka 12 vite që i ka qëndruar besnik Fushë Kosovës, madje edhe kur ishte në Ligën e Dytë, derisa për KP thotë se nuk do të dëgjojë oferta të tjera nga klubet e Superligës.

Berisha: Inkuadrimi në Superligë moment historik për mua

“Shumë e rëndësishme, por edhe ndjesi shumë e madhe për mua që kam qëndruar pran ekipit, kam qenë besnik i ekipit edhe pse kur kemi rënë në Ligën e Dytë, unë kam vazhduar prapë edhe pse kam pasur oferta të tjera që të largohem por kam qëndruar në Fushë Kosovë edhe prej Ligës së Dytë kemi hyrë në Ligën e Parë, tani nga Liga e Parë edhe në Superligë. Është një motiv shumë i madh për mua dhe një histori e papërsëritshme për mua si kapiten i ekipit. Nuk besoj që mund ta ndryshojë mendjen, ndryshe e ndiej ndërresën Fushë Kosovës, ndryshe diku tjetër”, tha Berisha.

Gjatë stërvitjes, një numër i vogël i tifozëve të Fushë Kosovës, të njohur si “Pampurat” ishin të pranishëm në tribuna dhe trajneri Shala i falënderoi ata duke thënë se është mbështetja e madhe e tyre që ka ndikuar direkt në rezultatet e skuadrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat