Spanja kthehet në Qipro, aty ku e mundi një bukëpjekës

Futboll

Spanja kthehet në Qipro, aty ku e mundi një bukëpjekës

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 15:20
Spanja

Spanja, e qetë nga kualifikimi i siguruar muajin e kaluar, mbyll fushatën kualifikuese për “Euro 2024” me dy takime kundër Qipros (sot, ora 18:00) dhe pas tri ditësh kundër Gjeorgjisë. Në lojë është vendi i parë në grup. Por është edhe prestigji i Spanjës, për më shumë në takimin e sotëm kundër Qipros.

“Furia e kuqe” kthehet në ishull plot 25 vjet pas disfatës 3-2 në Larnaka, që i kushtoi vendin e punës trajnerit të atëhershëm Havier Klemente. Qiproja ishte një ekip pothuajse amatore. Vetëm katër lojtarë ishin profesionistë.

Ekipi përfshinte gjithçka, nga një bukëpjekës te një mjek, duke përfshirë një anketues dhe një avokat! Por kjo nuk e pengoi t’i shkaktonte një nga humbjet më të dhimbshme Spanjës.

Vetë ish-trajneri Klemente kujton atë humbje.

“Nëse do të luanim njëmijë herë të tjera do të fitonim gjithnjë. U mundëm 3-2, por realisht duhet të kishim fituar 3- 8”, deklaron Klemente. Ishte ajo humbje që i dha fund aventurës 6-vjeçare të Klementes në krye të Spanjës.

Tashmë, “La Roja” kthehet sërish në vendin e krimit. Përsëri me petkun e favorites, por me një dëshirë të madhe për një revansh. Trajneri aktual Luis de la Fuente as që e çon ndër mend takimin e vitit 1998. Ai është fokusuar te kombëtarja që drejton dhe detyra që është fitorja dhe vendi i parë në grup. “E mbaj mendjen humbjen e shtatorit 1998 si një lajm të keq si tifoz.

Shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo fakti që futbolli është paparashikueshëm.

Ne jemi në Qipro për të fituar. Rezultatet e së shkuarës janë të shkuara, ne duam të shikojmë nga e ardhmja dhe të gjitha ndeshjet t’i luajmë për të fituar. Përvoja më thotë se çdo lojë bëhet e shëmtuar dhe shumë herë është për shkak të mungesës së përqendrimit. Këtë herë nuk do të jetë kështu”, tha De la Fuente.

Trajneri i Spanjës ka folur dhe për “Euro 2024”, duke e renditur skuadrën e tij mes favoritëve krah të zotëve të shtëpisë, Gjermanisë dhe gjigantët e përhershëm, Franca, Italia, Anglia, Portugalia…

“Fillimisht dua vendin e parë në grup. Por meqë po flasim për favoritët janë ata të zakonshmit, Franca, Anglia, Gjermania, Portugalia, Italia… Por më pas ka surpriza. Edhe ne kemi një skuadër të konsoliduar. Kam shumë lojtarë në dispozicion dhe do të synojmë të fitojmë europianin. Ne mund të kemi dyzet lojtarë të shkëlqyer, por të gjithë kanë të paktën njëmbëdhjetë lojtarë shumë të mirë”, paralajmëroi De la Fuente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat