Për ecurinë e Shqipërisë, Kosovës, Ballkanit, Xhakës, Shaqirit, Giresses, Silvinhos, flet Genc Sermaxhaj  

Futboll

Për ecurinë e Shqipërisë, Kosovës, Ballkanit, Xhakës, Shaqirit, Giresses, Silvinhos, flet Genc Sermaxhaj  

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 26 nëntor 2023 Në ora: 17:19
Genc Sermaxhaj

Shqipëria dhe Zvicra kanë siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2024, që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Kombëtarja e Kosovës nuk ia doli, ka përfunduar në vend të parafundit në Grupin I me vetëm 11 pikë.

Për ecurinë e Shqipërisë, Kosovës, Ballkanit, Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit, Alain Giresses, Silvinhos, flet analisti Genc Sermaxhaj  

Image

Genc Sermaxhaj

“Bota sot”: Përfunduan kualifikueset për Euro 2024, Shqipëria siguroi biletën për në Gjermani. Meritë e lojtarëve apo e selektorit Silvinho?

Genc Sermaxhaj: Merita është e të gjithëve për përgjegjësinë, qasjen, përformancat, paraqitjet etj.

Natyrisht që trajneri ka merita të mëdha për ndryshimin në qasje e lojë. Kërkesat e tij ishin të qarta dhe lojtarët i realizuan për të kompletuar kualifikimin në Euro 2024.

“Bota sot”: Çka e veçojë Shqipërinë që u kualifikua, goditjet nga distanca apo loja e disiplinuar?

Genc Sermaxhaj: Loja e disiplinuar taktike e udhëzuar nga trajneri ishin çelësi kryesorë që Shqipëria u kualifikua. Me pastaj disa nga gola që u shënuan padyshim janë meritë individuale e futbollisteve.

“Bota sot”: A ka Shqipëria brumë për të kaluar grupin në Euro 2024 dhe a do të ishte mirë që të kemi në grup edhe Serbinë?

Genc Sërmaxhaj: Shqipëria ka lojtarë e trajner për ndeshje të mira dhe mundësi kalimi edhe të grupit në Euro. 

“Bota sot”: A do të ishte mirë që të kemi në grup edhe Serbinë?

Genc Sërmaxhaj: Do të doja ta shmangnim një ndeshje me Serbinë sepse nuk ka nevojë.

“Bota sot”: Zvicra me shumë telashe në ndeshjet e fundit. Kritika të shumta për paraqitje jo në nivelin e pritur. A mendoni se shqiptarët, si kapiteni Granit Xbaka dhe Xherdan Shaqiri, janë vendimtarë në këtë kualifikim?

Genc Sermaxhaj: Padyshim që po. Ata janë lojtar të nivelit shumë të lartë, dhe jo vetëm tani por edhe në të kaluarën këta dy dhe të tjerët shqiptar që luajtën për Zvicrën, janë meritor për kualifikime e për ngritjen e nivelit të futbollit në kombëtaren zvicerane.

“Bota sot”: Kosova nuk ia doli, më shumë iu mungoi fati apo edhe për faj të selektorit Alain Giresse (u shkarkua pak muaj më parë) mbeten jashtë Euro 2024 apo duhet ende të piqemi si kombëtare?

Genc Sermaxhaj: Së pari duhet të rritemi si kombëtare, me pastaj të rritemi në të menduar e logjikuar e analizuar.

Për mua s’ka qene aspak e lehtë siç kanë menduar të tjerët për kualifikim të mundshëm edhe pse mundësitë ishin. 
Trajneri nuk ishte i duhuri, dhe me të as përformancat e lojtarëve në këto kualifikime.

“Bota sot”: Ballkani është në garë të fortë për vend të dytë në Grupin C të Conference Leaue. A është sfida vendimtare me Plzenin në Tiranë për të ruajtur hapin për një finale në fund me Dinamon në Zagreb dhe çfarë i duhet në dy ndeshjet e fundit?

Genc Sermaxhaj: Ballkani nga ndeshja në ndeshje po dëshmohet si ekip e mirë.

Kualifikimi tutje është i mundshëm ndaj duhet të angazhohen për ta arritur atë sepse kanë mundësi. 

Nga ato që kemi parë, Ballkani ka treguar ndeshje shumë të mira dhe duhet të shfrytëzoj tani lojën e radhës ndaj Plzenit në një terren të mirë siç është ‘Air Albania’ dhe të fitoj ndeshjen.

“Bota sot”: A mendoni se shqiptarët kur më mirë nuk kanë qenë sa i përket pjesëmarrjes në garat evropiane. Me 11-12 ekipe në garat evropiane (4 të Kosovës, 4 të Shqipërisë, tre të Maqedonisë dhe vetëm Deçiqi mungoi këtë vit nga Mali i Zi) po ashtu me dy kombëtare Shqipëria dhe Kosova, është një mrekulli shqiptare?

Genc Sermaxhaj: Padyshim që po. Këto i kemi ëndërruar prej kohësh. Tani po i përjetojmë. Duhet më shumë punë për më shumë suksese.

Për të gjitha jemi të lumtur dhe kërkojmë suksese nga të gjitha.

“Bota sot”: Kosova ende pa stadium, a është edhe një pengesë e madhe kjo për rezultate më të mira?

Genc Sermaxhaj: Stadiumi duhet të mos diskutohet në këto kohë që po jetojmë.

Është elementare për një lojë futbolli. 
Pengesë shumë e madhe që nuk i kemi së paku 3 stadiume në Kosovë të nivelit evropian.

“Bota sot”: Në ndeshjet e fundit të kombëtares së Kosovës, erdhën në shprehje disa lojtarë të Superligës së Kosovës, si Muhamet Hyseni, Ilir Krasniqi etj. A mendoni se duhet më shumë të ketë hapësirë edhe për lojtarët që luajnë brenda ligës tonë?

Genc Sermaxhaj: Po duhet t’i jepet hapësirë sepse po e dëshmojnë edhe në ndeshjet me ekipet e tyre në Evropë po ashtu edhe me Kosovën.

Përgjegjësia, dëshira, vrapimi, angazhimi, qasja nuk po iu mungon aspak. Duhet të marrin edhe pak përvojë që t’i kemi të pazëvendësueshëm në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat