Manaj: Viti i shpërthimit

Futboll

Manaj: Viti i shpërthimit

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 23:42
Rei Manaj

Rei Manaj është lojtari shqiptar i mo mentit, pasi po mahnit Turqinë me golat e tij.

Një “shpërthim” i sulmuesit që luan për Sivasporin, me shumë mundësi do t’i mundësojë një vend në Kombëtare gjatë miqësoreve të muajit mars.

Duke folur për “TRT Spor”, Manaj komenton garën e golave me lojtarë si Xheko dhe Ikardi, por gjithashtu tregon edhe për të ardhmen dhe pse po shënon vazhdimisht në kampionatin turk.

Aktualisht në kampionat kemi shumë golashënues, Xheko, Ikardi. Cili është komenti juaj për këtë konkurrencë sa i përket golave dhe çfarë mendimi keni për këta lojtarë?

Me Ikardin kemi luajtur bashkë dhe Edin Xhekon e njoh shumë mirë. Janë dy lojtarë të mëdhenj që po bëjnë paraqitje shumë të mirë këtu në Turqi, sepse ardhja e tyre ngre shumë nivelin e këtij kampionati. Padyshim që ndikon edhe skuadra ku ata luajnë.

Gallatasaraj dhe Fenerbahçe kanë më shumë raste si ekipe sesa skuadra ku unë luaj. Por, do të jetë e bukur deri në fund që të shohim se kush do të dalë i pari, i dyti apo i treti. Gjithashtu, dua që Sivaspori të ecë mirë, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme për mua, përpara golave.

Keni ardhur te Sivaspori dhe shohim një “shpërthim” në gola. Cili është sekreti i paraqitjeve tuaja?

Kam qenë tek Interi në një moshë shumë të re. Atje isha i pamatur, isha në një klub të madh. Pritshmëritë ishin të mëdha dhe presioni bëri që të mos jepja maksimumin tim.

Ndërkohë, kur je në moshën 26 dhe deri në 29 vjeç, mendoj se është mosha e duhur për të shpërthyer, sepse je edhe në maksimumin e forcës tënde dhe ke grumbulluar një farë eksperience që mund të të shërbejë për të bërë diferencën.

Talenti nuk është asgjë përpara punës. Unë punoj shumë, godas portën dhe provoj goditjet pas çdo seancë stërvitore.

Cili ka qenë motivi kur erdhët në Sivaspor dhe para se të vinit, sa e njihnit këtë ekip?

Në vitin e shkuar kam parë një ndeshje sepse kur jam në shtëpi më pëlqen që të shoh çdo lloj ndeshjeje, për të qenë i informuar mbi të gjitha. Hera e parë që kam ndjekur një ndeshje të Sivasporit ka qenë me Fiorentinën. Pastaj kishte shumë ekipe nga Turqia që më donin, por ekipi i parë ishte Sivaspori dhe unë i kisha dhënë një fjalë presidentit, nuk mund t’i dilja nga fjala. E di që ka shumë ekipe që më duan, por tani jam i fokusuar vetëm te Sivaspori.

Të gjithë njerëzit në Turqi mendojnë se Manaj në fund të sezonit do të largohet pasi ka shumë ekipe që interesohen për të. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj çështjeje?

Këto gjëra bëhen duke folur me babain, i cili është edhe menaxheri im, po ashtu me klubin. Për momentin jam i fokusuar te puna që po bëj këtu.

Pastaj, nëse në fund të sezonit vjen një ofertë që klubi e sheh si të kënaqshme dhe unë e shoh si të kënaqshme po ashtu, në një klub më të madh këtu në Turqi apo Premier Ligë, Spanjë apo Itali, është diçka që do ta shohim. Tani dua ta mbyll shumë mirë këtu dhe të jem gati për ekip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat