Pedri: Dua të fitojmë Ligën e Kampioneve

Futboll

Pedri: Dua të fitojmë Ligën e Kampioneve

Më: 12 prill 2024 Në ora: 16:40
Pedri

Një nga lajmet e mira për Barcelonën në Paris, veç fitores, ishte rikthimi në fusha i mesfushorit Pedri Gonzalez.

Kthimi i tij ishte i jashtëzakonshëm, asist në golin e 2-2 të përkohshëm të Rafinjës dhe 100% pasime të sakta në 33 minutat që u aktivizua. Pedri ishte “shumë i lumtur” që u kthye të luante sërish, ndërsa uroi që trajneri Ksavi Hernandez të vazhdojë të qëndrojë, së paku edhe në sezonin e ardhshëm.

“Ne kemi qenë gjithmonë me trajnerin dhe për sa kohë ai është me ne, do të bëjmë gjithçka. Personalisht uroj që të ndryshojë mendje dhe të qëndrojë për shumë kohë”, tha ai për mediat spanjolle. Mesfushori i kombëtares spanjolle foli edhe për çështjen e kualifikimit, duke e parë ekipin e tij të hedhë një hap përpara drejt një vendi në gjysmëfinale.

“Unë gjithmonë mendoj se do të bëjmë më të mirën dhe do të fitojmë çdo ndeshje deri në fund. Në Paris kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë. Ishte vetëm një moment në fillimin e pjesës së dytë kur PSG-ja shtyu shumë dhe na vuri në vështirësi.

Por gjetëm forcat dhe arritëm të kthenim gjithçka në favorin tonë. Pjesa e parë ka qenë e shkëlqyer”, tha ai. Pedri në fund ka folur edhe për rikthimin e tij.

“Nuk e imagjinoja të kthehesha kështu në këtë formë, por jam shumë i lumtur. Kam pasur shumë lëndime, por jam me fat që kur hyj në fushë nuk e mendoj shumë. Mundohem të shijoj çdo ndeshje që luaj. kështu ndodhi dhe me paris SG-në.

Objektivi im është të shoh gjithnjë përpara. Nuk mund të kthehemi mbrapsht në të kaluarën, kjo është filozofia ime e të parit dhe të bërit të gjërave”, ka shpjeguar Pedri. Nga ana tjetër, Pedri iu referua ndeshjes së kthimit javën e ardhshme. “Do të jenë 90 minuta deri në vdekje. Barça është klubi më i mirë në botë, ne po kthehemi në atë që ishim më parë. Do të përpiqemi ta fitojmë Ligën e Kampioneve”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat