Flamurtari me buxhet mbi 2 milionë euro për Superioren, gati rinovimi i senatorëve!
Flamurtari do të ketë buxhet milionerësh edhe për sezonin e ri futbollistik 2024-2025. “Panorama Sport”, mëson nga burime zyrtare pranë klubit se shifra është e lartë.
Dy milionë euro do të jetë buxheti i këtij sezoni. Por klubi ka vendosur që të ketë rezervë edhe 1 milion euro, që nëse do të vendosen në funksion, e çojnë buxhetin në 3 milionë euro.
Nga totali i fondit 2 milionë euro, mësohet se 1.5 milion do të jenë në dispozicion vetëm të skuadrës.
Në këtë shumë futen kontratat, pagat e lojtarëve, bonuset, trajtimi ushqimor, akomodimi jashtë Vlorës në transferta, si dhe qiratë e shtëpive. Krahasuar me një vit më parë, fondi ka ardhur në rritje edhe për shkak të disa investimeve që parashikohet të bëhen në fushat sportive në Pyllin e Sodës.