Polakët, ofertë mesfushorit shqiptar

Futboll

Polakët, ofertë mesfushorit shqiptar

Më: 29 qershor 2025 Në ora: 23:10
Lindon Selahi

E ardhmja e Lindon Selahit është pranë një kthese të rëndësishme. 26-vjeçari shqiptar, i cili aktualisht është lojtar i lirë, nuk do të transferohet në Belgjikë, pavarësisht disa spekulimeve të mëparshme në lidhje me interesimin e disa klubeve aty.

Burime pranë futbollistit konfirmojnë se ofertat më konkrete dhe të favorshme ekonomikisht i kanë ardhur nga Kroacia dhe Polonia, me këtë të fundit që ka dalë në avantazh.

Në orët e fundit, Selahi është kontaktuar nga dy klube me traditë në ligat respektive: Hajduk Split në Kroaci dhe Vidzev Lodz në Poloni. Megjithatë, interesi i fortë i klubit polak, i mbështetur nga një projekt sportiv ambicioz dhe një ofertë ekonomike shumë më të leverdishme, duket se po e bind mesfushorin të zgjedhë destinacionin polak.

Një nga faktorët kryesorë që po ndikon në zgjedhjen e Selahit është prania e trajnerit Zeljko Sopiç në stolin e Vidzev Lodz. Dyshja ka punuar më parë bashkë në Kroaci te Rijeka dhe marrëdhënia e krijuar gjatë asaj periudhe duket se ka lënë gjurmë pozitive te lojtari shqiptar. Besimi i ndërsjellë dhe filozofia e përbashkët sportive mes tyre janë elemente që e afrojnë gjithnjë e më shumë mesfushorin drejt firmës me skuadrën polake.

Kujtojmë që këtë sezon, Selahi u shpall kampion me Rijekën. Megjithatë, Selahi pritet që në fillim të javës së ardhshme të udhëtojë drejt Polonisë për të vizituar ambientet e klubit të Vidzev Lodz, për të diskutuar detajet e fundit të kontratës dhe për të marrë një vendim përfundimtar. Deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje të mbyllur, por palët janë shumë pranë akordit.

HAJDUKU- Në anën tjetër, Hajduk Split nuk është dorëzuar ende. Kroatët i kanë ofruar Selahit një kontratë 3-vjeçare me një pagë vjetore rreth 400 mijë euro, që konsiderohet solide për nivelin e kampionatit kroat.

Megjithatë, sipas burimeve të afërta me futbollistin, projekti sportiv dhe kushtet financiare të polakëve janë më të favorshme, duke e lënë ofertën e Hajdukut në vend të dytë, të paktën për momentin.

SHEHU- Në Poloni, tek ekipi i Vidzev Lodzit, Selahi do të bëhej partner në mesfushë me një tjetër shqiptar. Juljan Shehu, lojtari i Kombëtares shqiptare është pjesë e klubit polak, megjithëse ende nuk ka rinovuar kontratën që i mbaron më 30 qershor. Nuk dihet nëse Shehu do të rinovojë me Vidzevin, apo Lindon Selahi është një zëvendësues për të në mesfushë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat