Arsenali është kampion i Anglisë pas 22 vitesh pritje

Futboll

Arsenali është kampion i Anglisë pas 22 vitesh pritje

Nga: K.G. Më: 19 maj 2026 Në ora: 22:34
Arsenali

Arsenal është kampioni i ri i Anglisë.

Në ndeshjen e javës së 37-të të Premier Leagues, Manchester City barazoi 1:1 në udhëtim ndaj Bournemouth dhe kështu mbeti në kuotën e 78 pikëve, katër më pak se Arsenali një javë para jfundit të kampionatit.

Skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola i nevojitej fitorja për të mbetur në garë për titullin, por me këtë barazim Arsenali siguroi matematikisht trofeun e Premier Ligës, duke i dhënë fund pritjes 22-vjeçare për titullin kampion.

Për vendasit realizoi Eli Junior Kroupi, ndërsa në minutën e pestë të shtesës barazimin dhe dramën në fund e solli Erling Haaland.

Qysh në minutën e pestë, City pati rast me Doku, por goditja e tij nga skaji i zonës u ndal nga Petroviq.

Bournemouth iu kundërpërgjigj me presion të lartë dhe në minutën e 12-të një gol i Semenyos u anulua për pozitë jashtë loje, pas konfirmimit nga VAR-i. Loja më pas u qetësua në një ritëm të pritshëm, me Cityn që kontrollonte posedimin, ndërsa Bournemouth kërkonte rrezikun përmes kundërsulmeve.

Rastin më të mirë për vendasit në pjesën e parë e humbi Evanilson në minutën e 15-të.

Pas një aksioni të bukur të Bournemouthit dhe një topi të ulët nga Tavernier, sulmuesi nga pesë-gjashtë metra çuditërisht e dërgoi topin mbi traversë.

City u kundërpërgjigj në minutën e 28-të, kur Evanilson, këtë herë në mbrojtje, largoi topin nga vija fatale pas goditjes me kokë të Rodrit.

Në minutën e 39-të erdhi shoku për mysafirët dhe shpërthimi i festës në stadiumin “Vitality”, por edhe në veri të Londrës. Truffert depërtoi nga krahu i majtë dhe pasoi për Kroupi, i cili me një goditje fantastike me pjesën e jashtme të këpucës e dërgoi topin në këndin e kundërt të portës për epërsinë e Bournemouthit 1:0.

Në pjesën e dytë, City ishte pranë barazimit menjëherë. Haaland depërtoi dhe asistoi për Nico O’Reillyn, por goditja e tij nga afërsia u ndal mrekullisht nga Petroviq.

Në minutën e 61-të Bournemouth pati tjetër mundësi të mirë, kur Evanilson shërbeu për Kroupin, por kësaj radhe goditja e francezit shkoi jashtë portës.

Presioni i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 69-të ishin sërish pranë golit, ndërsa Guardiola reagoi me ndryshime sulmuese duke futur Cherkin, Savinhon dhe Phil Fodenin, e më vonë edhe Omar Marmoush.
Në minutën e 90-të Bournemouth mund ta kishte mbyllur ndeshjen, por David Brooks goditi shtyllën në një kundërsulm ideal.

Kur dukej se City do të largohej pa pikë, në minutën e pestë shtesë Haaland realizoi për 1:1 dhe shpëtoi një pikë për skuadrën e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat