Betim Haxhimusa: Shpesh ëndrra mu ndërpre! 

Futboll

Betim Haxhimusa: Shpesh ëndrra mu ndërpre! 

Nga: K.G. Më: 23 maj 2026 Në ora: 00:25
Betim Haxhimusa

Betim Haxhimusa, prej futbollistëve më të mirë në Kosovë, ka një mesazh interesant. 

Kapiteni i FC Ferizajt, tha se shpesh ëndrra iu ndërpre.

Mbrëmë me Ferizajn nuk e realizoi ëndrrën e madhe, pësuan humbje në finale të Kupës së Kosovës, me rezultat 2:1 nga Dukagjini i Klinës.

“Që i vogël, hapat e parë drejt ëndrrës i mora në Gjermani, me zemrën plot pasion për futbollin.

Rrugëtimi im vazhdoi në Kosovë, ku në moshë të re fillova një rrugë të gjatë sakrifice. Për 18 vite me radhë kam dhënë shpirtin nëpër ligat e Kosovës, kam derdhur djersë, kam duruar lëndime, padrejtësi e goditje, por kurrë nuk jam dorëzuar.

Shpesh ëndrra mu ndërpre, edhe pse përpara kisha oferta të mira dhe mundësi më të mëdha. Lëndimet, sulmet dhe shumë padrejtësi ma vështirësuan rrugën, por gjithmonë kam zgjedhur të jem paqësor, të fal dhe të ec përpara me respekt - sepse kështu jam rritur, me vlera sportive e njerëzore.

Por sot… në klubin e zemrës, të qytetit tim, ma shuan një ëndërr që e kam mbrojtur me shpirt gjithë jetën. Për herë të parë dola jashtë vetes, jo sepse është natyra ime, por sepse dhemb kur ta marrin mundin, sakrificën, djersën e edhe gjakun që ke derdhur për fanellën, dhe padrejtësisht ta ndërpresin ëndrrën.

Vij nga një familje sportistësh, biri i Nadir Haxhimusës, një emër që la gjurmë në Kosovë dhe diasporë. Krenar për emrin që mbaj, por zemërthyer për padrejtësinë që sot ma ndali një ëndërr - jo dashurinë për sportin – FC Ferizaj”, ka shkruar Haxhimusa në profilin e tij në facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat