Republika Demokratike e Kongos është kualifikuar në fazën finale të Botërorit 2026, por duhet të qëndrojë në izolim për 21 ditë para se të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shkak është bërë shpërthimi i epidemisë së Ebolas në vendin afrikan dhe për Drejtorin Ekzekutiv të taskforcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, Andreë Giuliani, kjo është një masë e detyrueshme.
“Ne ia kemi bërë shumë të qartë Kongos se ata duhet të bëjnë karantinën e tyre për 21 ditë përpara se të vijnë në Hjuston më 11 qershor. Ne ia kemi bërë shumë të qartë edhe qeverisë së Kongos ose rrezikojnë të mos jenë në gjendje të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Giuliani.
Për këtë vendim është informuar edhe FIFA. Futbollistët dhe stafi i përfaqësueses së Republikës Demokratike të Kongos po përgatiten aktualisht në Belgjikë.
Për këtë skuadër është kualifikimi i dytë në Botëror, pas atij në 1974 ku mori pjesën me emrin Zaire. Përfaqësuesja afrikane është në të njëjtin grup me Portugalinë, Kolumbinë dhe Uzbekistanin.